Aktorja e njohur e Hollivudit, Sarah Jessica Parker, protagonistja kryesore e serialit të njohur “Sex And The City”, është përzgjedhur si anëtare e jurisë së çmimit prestigjioz Booker për letërsinë për edicionin 2025,. Juria do të kryesohet nga autori irlandez Roddy Doyle, 66 vjeç. Përveç Carrie Bradshaw, paneli do të përfshijë novelisten nigeriane Ayobami Adebayo, autorin britanik Chris Power dhe aktoren amerikane Kiley Reed.
Sarah ka disa vite që merret në mënyrë diskrete me industrinë e librit. Fillimisht si drejtore botuese në një degë të shtëpisë botuese Penguin, më pas hapi shtëpinë e saj, SJP Lit, në vitin 2023 në bashkëpunim me një botues të pavarur. Anëtarësimi në jurinë e Booker-it “më duket shumë i frikshëm”-tha ajo për New York Times. “Unë i konsideroj gjyqtarët akademikë, të arsimuar dhe me përvojë, gjë që nuk jam. Nuk kam bërë asnjë studim akademik. Nuk kam asnjë diplomë”-vijoi ajo.
Autorët dhe botuesit e tyre tani mund të dorëzojnë veprat e tyre për edicionin 2025. Lista me 12 ose 13 tituj që do të përzgjidhen do të shpallet në korrik, ajo e finalistëve në shtator dhe emri i fituesit do të zbulohet në nëntor 2025. Aktorja e njohur ka folur së fundmi për mediat lidhur me pamjen e saj, qëndrimin në formë dhe plakjen. Aktorja shprehet se është konfuze që meshkujt nuk flasin kurrë për plakjen, ndërsa pyetjet dhe temat për plakjen shpeshherë u imponohen grave. Ndonëse ka provuar trajtime të ndryshme si shtrëngimi i lëkurës me ultratinguj dhe ‘peeling glikolik’, ajo pretendon se kurrë nuk ka përdorur botoks për të shtrënguar fytyrën e saj.