“Numri i dëbimeve të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2014”, sipas një raporti të qeverisë amerikane. Kjo si pjesë e një nxitjeje më të gjerë që po i bën këtij procesi presidenti në largim, Joe Biden, për të reduktuar emigracionin e paligjshëm. Sipas raportit vjetor të Departamentit të Emigracionit dhe Doganave, (ICE) rreth 271 mijë emigrantë janë dëbuar në 192 vende në vitin fiskal 2024, që nisi më 1 tetor të vitit 2023 dhe përfundoi më 30 shtator 2024.
Sipas statistikave të qeverisë, kjo është shifra më e lartë e dëbimeve që kur Joe Biden mori detyrën në vitin 2021 dhe më e lartë se çdo vit i administratës së parë të presidentit të zgjedhur Donald Trump, në vitet 2017-2021.
Presidenti demokrat, Joe Biden mori detyrën duke u zotuar të zhbënte politikat më kufizuese ndaj emigracionit të vendosura nga Donald Trump, por luftoi me nivele të larta të emigracionit të paligjshëm dhe gradualisht e ashpërsoi qëndrimin ndaj fenomenit.
Republikani Donald Trump fitoi një tjetër mandat në Shtëpinë e Bardhë në nëntor duke premtuar se do të dëbonte një numër rekord emigrantësh të paligjshëm nga vendi, si pjesë e një goditjeje më të gjerë kundër emigracionit. Në një deklaratë, zëdhënësja e tranzicionit e presidentit të zgjedhur Trump, Karoline Leavitt, u shpreh se dëbimet e Biden-it nuk ishin të rëndësishme në krahasim me nivelet e larta të emigracionit të paligjshëm të shënuar gjatë presidencës së tij.
Në ditën e parë, presidenti Trump do të rregullojë makthin mbi emigracionin, si dhe mbi sigurinë kombëtare që krijoi Joe Biden, duke nisur operacionin më të madh të dëbimit masiv të kriminelëve të paligjshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rreth 11 milion emigrantë nuk kishin status ligjor ose gëzonin mbrojtje të përkohshme në vitin 2022, referuar vlerësimeve të qeverisë e grupeve të ekspertëve, një shifër për të cilën disa analistë thonë se varion në 13 deri në 14 milion.