Bota

Përparime inkurajuese në bisedimet SHBA-Iran!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani ranë dakord për një plan drejt një marrëveshjeje të përhershme paqeje. Pas raundit të parë të negociatave në Zvicër gjatë gjithë javës priten bisedime të tjera në nivel ekspertësh. Vendet ndërmjetësuese, Katari dhe Pakistani, theksuan se synimi mbetet arritja e marrëveshjes përfundimtare brenda 60 ditësh.

Shtetet ndërmjetësuese thanë se atmosfera e bisedimeve ishte konstruktive dhe u shprehën për “përparime inkurajuese”. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi, lëvdoi Pakistanin dhe Katarin për ndërmjetësimin e bisedimeve dhe u shpreh po ashtu për përparime të rëndësishme.

Sipas zv.presidentit amerikan JD Vance, ndër të tjera, Irani ra dakord t’i lejojë sërish inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të hyjnë në vend ndonëse ende nuk ka një afat.

Negociatorët tentuan t’i kontaktonin inspektorët rreth orës 2 të mëngjesit, por shumica nuk ishin përgjigjur në telefon. Deri tani, Irani nuk e ka konfirmuar rifillimin e kontrolleve.

Kanal komunikimi për Ngushticën e Hormuzit dhe Libanin

Siç deklaruan shtetet ndërmjetësuese, gjithashtu është krijuar një kanal komunikimi mes palëve në konflikt për të shmangur keqkuptimet ose incidentet në Ngushticën e Hormuzit.

Kjo ngushticë është një rrugë e rëndësishme për ekonominë botërore për tregtinë e plehrave kimikë, të naftës dhe të gazit të lëngshëm nga vendet e Gjirit Persik.

Përveç kësaj, së bashku me Libanin pritet të krijohet një lloj strukture për zgjidhjen e konflikteve, me qëllim që të ndalen luftimet në vend, thuhet në deklaratë.

Në Liban zhvillohen luftime mes Izraelit dhe milicisë pro-iraniane Hezbollah.