Partia Demokratike reagoi me anë të Edi Palokës, pas deklaratës së Ramës ku shprehej optimist për dritën jeshile nga Berlini, për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Paloka u shpreh se opozita nuk është pengesë për hapjen e negociatave, por ajo mbështet pa kushte hapjen e tyre si mjeti i duhur për të monitoruar qeverinë. Nderkaq ai tha se: “Nuk prisnim sot që Edi Rama t’u thoshte të vërtetën shqiptarëve për vizitën e tij në Berlin. E vërteta është se pa Saimir Tahirin para drejtësisë, Bashkimi Europian do të jetë një derë e mbyllur për Shqipërinë. Me keqardhje, duhet të pohojmë, se nuk ka vend për optimizëm, përsa kohë Rama nuk ka përmbushur detyrat si të luftojë krimin e organizuar, korrupsionin dhe të shkëpusë lidhjet e politikës me krimin, të lejojë drejtësinë të veprojë me Saimir Tahirin. Këto janë parakushtet që Berlini pret të plotësohen që të hapë dritën jeshile për negociatat e Shqipërisë” shprehu deputeti Paloka.