Aktualitet

Gentian Progni denoncon kërcënimin gjatë protestës: Do bëj kallëzim

Eksperti i IT-së, Gentian Progni, ka deklaruar se është kërcënuar me jetë gjatë protestës së zhvilluar sot, teksa ndodhej pranë ambienteve të Komisariatit nr. 1 në Tiranë, ku ishte zhvendosur tubimi.

Në një komunikim për mediat, Progni tha se një person civil e ka kërcënuar dhe sipas tij ka tentuar ta godasë me thikë. Ai pretendon se e ka të dokumentuar ngjarjen me foto dhe se do të bëjë kallëzim në organet përkatëse.

“Dua të bëj një kallëzim publik, jam kanosur sot me jetë nga një person civil që e kam edhe me foto. Ka nxjerrë thikën dhe ka tentuar të më godasë”, deklaroi Progni.

Sipas tij, incidenti ndodhi teksa ai po filmonte disa persona që i cilësoi si policë civilë pranë një lokali.

“Personi u çua dhe më tha përse filmon dhe nxori një thikë nga xhepi. Tentoi të më godiste. Do të bëj kallëzim në prokurori dhe në AMP për kanosje”, tha ai.

Ndërkohë, aktivisti Edison Lika reagoi duke e cilësuar ngjarjen si një “kalim të vijës së kuqe”. Ai tha se protestuesit nuk do të tërhiqen dhe do të vijojnë tubimet.

“Për herë të parë pas gjithë kërcënimeve që kemi pasur, nxjerrja e thikës ndaj një protestuesi është kalim i vijave të kuqe. Ne nuk trembemi dhe do të jemi këtu deri në largimin e Ramës”, u shpreh Lika.

Deri tani, pretendimet për incidentin janë bërë nga ana e protestuesve, ndërsa pritet reagimi i institucioneve për zbardhjen e rrethanave.