Aktualitet

Dënohet Thoma Gëllçi, ish-drejtori i RTSH-së!

Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi u shpall sot fajtor dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me dy vjet burg, por që zbresin në një vit e katër muaj, për shpërdorim detyre. Ndërkohë, për 5 vite i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike.

Gëllçi u prangos tetorin e kaluar, si i dyshuar për një tender në kanalin RTSH Agro, me vlerë 87 milion lekë. Me nga 12 muaj burg u dënuan edhe tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave Ervin Murrja, Julian Tapia e Alban Malaveci, për shkelje të barazisë në tendera.

I mbajtur gjatë vitit 2018, ky tender u konstatua me shkelje duke nisur që nga shpallja e procedurës. Pas lidhjes së kontratës në dhjetor, u caktua si kusht afati 45 ditor, por sipas SPAK-ut, një javë pas përfundimit të këtij afati, Thoma Gëllçi, tashmë ish-drejtor i përgjithshëm, i RTSH-së, firmosi shtesë kontrate.