Një ngjarje e pazakontë u regjistrua sot në Fier, ku një grua 49-vjeçare u arrestua nga policia lidhur me dyshimet për dhunë fizike dhe kërcënime ndaj një avokati.
Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu, shtetasja V.Xh., banuese në fshatin Mbrostar Ura, u ndalua në flagrancë nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, pasi ka kanosur dhe goditur në ambientet e zyrës avokatin A.K., 59 vjeç, banues në Fier.
Avokati i dhunuar përfaqëson djalin e gruas 49 vjeçare, në një proces gjyqësor kundër prindërve të tij, çka dyshohet të ketë qenë edhe shkaku i konfliktit të dhunshëm mes palëve.
Policia njofton se materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.