Aksident në aksin Lushnjë-Rrogozhinë, plagoset rëndë një e moshuar.
Sipas të dhënave paraprake, e lënduar mbeti 75-vjeçarja me iniciale B.R. Gruaja ishte duke kaluar në këmbë trafikndarësen e autostradës, në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës, kur u përplas nga një automjet tip fuoristradë.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 75-vjeçarja ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Aksi Lushnjë-Rrogozhinë është një nga segmentet rrugore problematike sa i përket aksidenteve. Edhe pse në hyrje të fshatrave janë ndërtuar mbikalime për këmbësorët, shumë banorë vijojnë të kalojnë autostradën në mënyrë të paligjshme, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.