Sport

Dinamo mund Flamurtarin dhe vazhdon ngjitjen në tabelë!

Dinamo ka siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat duke mposhtur në “Selman Stërmasi” ekipin e Flamurtarit me shifrat 2-0.

Blutë kanë dominuar përballë vlonjatëve në krizë, por nuk po gjenin golin. Një ndihmë ia dhanë situatat e çuditshme pas 30 minutash, pasi Çantakias i dëmtuar i la vendin në fushë Veigas dhe ky i fundit u ndëshkua menjëherë me të kuq për një faull ndaj Guindos. Me një lojtar më shumë blutë morën kontrollin e plotë të lojës dhe si rrjedhojë erdhi edhe goli i Guindo para pushimit.

Dominimi vazhdoi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, teksa Dinamo shënoi përsëri me anë të Nani pas një aksioni të shpejtë të anësorit. Pak minuta më vonë erdhi një tjetër episod i çuditshëm pasi Ferruku i sapofutur në fushë u ndëshkua me të kuq për një goditje ndaj portierit, duke vendosur baraspeshën në numrin e lojtarëve të të dy ekipeve.

Por në minuta e mbetura nuk ndodhi thuajse asgjë dhe Dinamo mori tre pikët që kërkonte për të vazhduar ngjitjen në tabelë, me vlonjatët që mbetën në vendin e fundit.

DINAMO-FLAMURTARI 2-0
45’+3′ Guindo, 74′ Nani

Ilir Daja deklaroi pas ndeshjes:

“Sigurisht që është java e gjashtë nuk mund të themi kemi ritmin maksimal. Mungesa e Guindos nuk ishte problemi i vetëm, por edhe Hekuran Berisha dhe Farruku duan kohën e tyre. Guindo me eksperiencën që ka është pikë reference. Ne presim edhe nga qendërsulmuesit e tjerë, Berisha dhe Farruku. Janë lojtarë që e njohin portën, por duan kohën e duhur për t’u përshtatur edhe për t’ju përgjigjur manovrës sonës, sidomos kur humbet topin. Jemi më të qetë tani, kemi pasur gjithë kontingjentin në formacion. Flamurtari ishte i detyruar të japë maksimumin për pozicionin që ka, që nuk e meriton. Luanin gjithçka për gjithçka. Kaluan me 4 sulmues kur ishin në disavantazh. Meritë e jona nuk ishte vetëm shënimi i golave, prapë patëm problem me rastet, por që mbajtëm ekuilibër mbrapa dhe i lamë pak mundësi kundërshtarit për të na goditur me kundërsulm apo qoftë me goditje standarde. Sigurisht që ishim të kujdesshëm. Në pushim të ndeshjes u kam thënë lojtarëve, në një element të mbrojtjes, që nuk po e përsëris kush, sot ishim në një nivel tjetër në raport me pesë javë të tjera”.

Trajneri i Flamurtarit, Karlos Garsia, pranon se çdo gjë është jashtë parashikimeve me serinë e rezultateve të skuadrës së tij. Dhe pas humbjes ndaj Dinamos, ai bëri të qartë se merrte plotësisht përsipër përgjegjësitë.

“Mendoj se gjithçka ka ndryshuar me dëmtimin dhe të kuqin. Para asaj kishin kontrollin e topit, por edhe ne rastet i kishim me një goditje këndi dhe një goditje dënimi të Trashit. Mendoj se ndeshja ishte e barazuar deri aty. Unë mendoj se situata që kundërshtarët krijuan, sipas mendimit tim modest, mendoj se është më shumë për një pasim tonë të gabuar mbrapa, jo për presingun e tyre të fortë që na detyroi të bënim këto gabime”.