Samiti mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, i planifikuar të mbahej në Bruksel më 22 korrik, është shtyrë pas dorëheqjes së kryeministrit britanik, Keir Starmer.
Starmer pritej të zhvillonte takime me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ku në fokus do të ishin çështje si bashkëpunimi në fushën e ushqimit, energjisë dhe një skemë për lëvizshmërinë e të rinjve.
Takimi do të ndërtohej mbi procesin e afrimit të marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, të nisur vitin e kaluar nga qeveria e Starmer.
Ish-kryeministri e konsideronte forcimin e lidhjeve me BE-në si një element kyç të strategjisë së tij për nxitjen e rritjes ekonomike dhe rigjallërimin e qeverisjes. Ai e kishte vendosur këtë çështje në qendër të një fjalimi të rëndësishëm pas rezultateve të dobëta të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale.
“Tani me shumë gjasa duhet ta shtyjmë samitin, por po rivlerësojmë mundësinë për të caktuar një datë të re”, u shpreh Antonio Costa.
Ai shtoi se shpreson që pasardhësi i Starmer të vazhdojë rrugën e nisur për përmirësimin e marrëdhënieve mes Londrës dhe Brukselit.
“Dëshira ime është që pasardhësi i tij të mund të sigurojë vazhdimësinë e kësaj rruge pozitive për rivendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve tona me Mbretërinë e Bashkuar”, tha Costa.
Më pak se dy vjet pasi Starmer fitoi zgjedhjet parlamentare me një fitore dërrmuese, duke premtuar fundin e periudhës së trazuar politike në Britani, burime pranë qeverisë thanë se kryeministri e kishte kaluar fundjavën duke shqyrtuar nëse duhej të tërhiqej apo të përballej me një garë për udhëheqjen e Partisë Laburiste. Kërcënimi ndaj pozitës së Starmer-it, i cili ishte duke u rritur gradualisht prej muajsh, mori përmasa shumë më të mëdha të premten, kur Burnham fitoi bindshëm një zgjedhje parlamentare dhe u rikthye në Westminster.