Bota

Pekini zyrtar kërkon thellim të lidhjeve Kinë-Bashkimi Europian!

Presidenti kinez, Xi Jinping, tha se Kina dhe Bashkimi Europian duhet të thellojnë besimin në një botë me trazira, ndërsa shefja e bllokut, Ursula von der Leyen bëri thirrje për “zgjidhje reale” për të kaluar pikën e kthesës. Udhëheqja e vendit aziatik synon të afrohet me BE-në duke e pozicionuar veten si partnere më e besueshme se Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, BE-ja e ka bërë të qartë se ekzistojnë ndasi të thella për çështje tregtare, meqë ka shqetësime se mallrat e lira kineze mund të mbingarkojnë tregun evropian. Mbështetja e Pekinit për luftën e Rusisë në Ukrainë është një tjetër temë e madhe.

Ndonëse synimi i takimit të palëve në kryeqytetin kinez ishte për të festuar lidhjet diplomatike 50-vjeçare, lista e gjatë e ankesave duket se e ka përgatitur terrenin për një samit me plot diskutime. Duke mirëpritur shefen e BE-së, Ursula von der Leyen dhe shefin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, Xi deklaroi:

Sa më komplekse që është situata në botë, aq më e rëndësishme është që Kina dhe BE-ja ta thellojnë komunikimin, të rrisin besimin dhe ta thellojnë bashkëpunimin. Sfidat me të cilat përballet Evropa tani, nuk vijnë prej Kinës. Nuk ekzistojnë konflikte thelbësore të interesit apo kontradikta gjeopolitike mes Kinës dhe BE-së.

Si përgjigje, von der Leyen u shpreh se “është jetësore për Kinën dhe Evropën që të pranohen shqetësimet respektive e të ketë zgjidhje”. Sipas saj, lidhjet mes dy palëve kanë arritur në “pikën e kthesës”.

Costa i tha liderit kinez se blloku evropian dëshiron të shohë “përparim konkret në çështjet e lidhura me tregtinë dhe ekonominë dhe dëshirojnë marrëdhënie nga e cila përfitojnë njësoj”. Brukseli e ka pranuar se bisedimet e sotme të shefave evropianë me ata kinezë do të jenë të tensionuara.

Ne e dimë që me Kinën nuk i shohim njësoj shumë gjëra, vuri në dukje një zyrtar i BE-së një javë më parë për agjencinë e lajmeve AFP.

Unioni ka vendosur tarifa të ashpra në makinat elektrike të importuara nga Kina, duke argumentuar se subvencionet industriale të Pekinit i kanë dëmtuar padrejtësisht konkurrentët evropianë. Kina është kundërpërgjigjur me masa hakmarrëse ndaj disa produkteve ushqimore evropiane. Javën e kaluar, blloku miratoi një pako të re sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të luftës duke përfshirë aty edhe dy banka kineze.