Napoli dhe Interi do të zbresin sonte në fushë, në mbrëmjen që do të kurorëzojë ekipin kampion të Serisë A për edicionin 2024-2025. Skuadra e Antonio Kontes do të presë në shtëpi Kaljarin, ndërsa zikaltrit e Simone Inzagit luajnë në transfertë kundër Komos.
Interi shpreson në një mrekulli për të shkuar të titulli, përmbysje të cilat Seria A i ka dhuruar në 5 raste gjatë historisë në javën e fundit të kampionatit. Në mbi 90 vite histori me ekipet në një grup të vetëm, dy rastet e fundit e përmbysjeve i përkasin fillimit të viteve 2000:
(5 maj 2002) JUVENTUSIN “DJEG” INTERIN NË FOTOFINISH
Asokohe, Interi nën presidencën e Masimo Moratit, ishte në kërkim të një titulli që mungonte prej 13 vitesh. Zikaltrit paraqiteshin në javën e fundit në krye të renditjes me 69 pikë, Juventusi ishte i dyti me 68 pikë, ndërsa Roma e treta me 67 pikë. Interi drejtohej nga Hektor Kuper, Marçelo Lipi ishte në pankinën e bardhezinjve, ndërsa Fabio Kapelo në stolin e Romës, skuadër kampione në fuqi. Me gjithë mungesat e shumta në pjesën e parë të sezonit, mbi të gjitha të sulmuesve Ronaldo dhe Vieri, të cilët luajtën vetëm pak ndeshje së bashku, Interi ndodhej në vendin e parë, kur kishte mbetur edhe java e fundit për t’u zhvilluar.
Zikaltrit luanin në transfertë kundër Lacios në stadiumin olimpik të Romës. Në plan të parë, gjithçka dukej si një shëtitje për Interin kundër një Lacioje, që paraqitej pa shumë stimuj, për më tepër me të dyja tifozeritë të binjakëzuara. I gjithë stadiumi ishte i veshur me ngjyrat zikaltër, ndërsa edhe vetë pjesa më e madhe e lacialëve bënin tifo për ekipin kundërshtar, duke qenë se në garë për titullin ishin edhe “të urryerit” e Romës. Por, në fakt, Lacio ishte ende në garë për një vend në Kupën UEFA dhe me gjithë një fillim loje të përgjumur, më pas tregoi se kërkoi ta fitonte ndeshjen.
Sfida nisi në favor të Interit, që i duhej fitorja me çdo kusht për të ruajtur avantazhin në klasifikim ndaj Juventusit, që luante në të njëjtën kohë në transfertë kundër Udinezes. Në pjesën e parë, Interi kaloi në avantazh me Vierin, por pak më vonë barazoi çeku Karel Poborski, në ndeshjen e tij të fundit me Lacion. Pas 4 minutash, Luixhi di Biaxho riktheu në epërsi miqtë, ndërsa kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej me fitoren e skuadrës së Hektor Kuperit, erdhi edhe goli i befasisë. Pas një gafe të pabesueshme nga Vratislav Greshko, Poborski tundi për herë të dytë rrjetën zikaltër, duke i dërguar shifrat në 2-2, rezultat më të cilin u mbyllën 45 minutat e para. “Bëra një gabim të madh që nuk zbrita në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes, por isha tmerrësisht i mërzitur. Kur u futën në fushë në pjesën e dytë, lojtarët e kishin kuptuar sesi ishte situata, por mbajtën të njëjtën qasje, sikur gjithçka ishte e thjeshtë. Dhe më pas takimi u mbyll me fitoren e lehtë të Lacios me rezultatin 4-2”, rrëfen Masimo Morati .
Pra, me golat nga një ish si Diego Pablo Simeone, si dhe të trajnerit aktual, Simone Inzagi, Lacio dërgoi Interin në “ferrin” sportiv, ndërsa nga ana tjetër Juventusi preku “parajsën”, duke festuar titullin e 26-të, absolutisht më i bukur në histori për popullin bardhezi që ka festuar kampione më shumë se kushdo tjetër në Itali. Skuadra e Marçelo Lipit i mbylli llogaritë që në pjesën e parë në Udine, me dyshen Trezege – Del Piero. Në Romë, me humbjen e Interit thuajse të qartë, Marko Materaci nisi të qante në fushë, ashtu sikurse Ronaldo në pankinë. Momente historike, ndërsa kamerat për një çast inkuadruan Materacin, teksa u përgjërohej lojtarëve të Lacios, duke iu drejtuar kështu:
(14 maj 2000) JUVENTUS “MBYTET” NË PERUXHIA, LACIO NË FESTË
Para 5 majit 2002, kishim 15 majin e 2000-shit. Prej nëntë vitesh titulli ishte një “monopol” mes Juventusit dhe Milanit, edhe pse në fakt ajo periudhe mbahet mend si epoka e “shtatë motrave” në Serinë A, me 7 ekipe potencialisht në gjendje për të fituar. Mes tyre ishte edhe Lacio e Serxho Kranjotit, që në ato vite falë investimeve të mëdha financiare ishte shndërruar në një prej ekipeve më të mira të Europës, teksa në 1999-ën kishte fituar edicionin e fundit të Kupës së Kupave.
Kampionati u karakterizua nga një garë e fortë kokë më kokë mes Juventusit dhe Lacios, për të mbërritur deri në javën e fundit, me bardhezinjtë të parët në kuotën e 71 pikëve, ndërsa kryeqytetasit të dytët me 69 pikë. Lacio ishte e impenjuar në shtëpi kundër Rexhinës, skuadër surprizë e atij kampionati dhe i duhej patjetër fitorja për të shpresuar që torinezët të frenonin në Peruxhia, ekip i mesit të tabelës. Lacio e fitoi lehtësisht 3-0 sfidën e saj, por nga ana tjetër në Peruxhia gjithçka ishte ndalur pas 45 minutave të para, pasi një rrebesh përmbyti fushën.
Arbitri Pierluixhi Kolina u detyrua të shtyjë takimin, me lojtarët që pritën për plot 75 minuta në dhomat e zhveshjes për të rifilluar pjesën e dytë. Ndeshja rifilloi mes shumë polemikave për një fushë që vetëm për futboll nuk mund të flitej, ndërsa rezultati ishte i barabartë 0-0. Katër minuta pas rinisjes, Alesandro Kalori kaloi në avantazh Peruxhian, me vendësit që bënë ndeshjen e jetës në një terren të mbushur me ujë, duke i hequr kampionatin Juventusit.
(16 MAJ 1982) BARDHEZINJTË QEPIN YLLIN E DYTË
Sezoni 1981-‘82 ishte ai para Kupës së Botës në Spanjë, një kampionat që shënoi rikthimin e Milanit në Serie A, ndërsa ishte edhe viti i vendosjes së sponsorëve në fanella. Në garë për “Scudetton”, mes Juventusit, Romës, Napolit dhe Interit, u fut edhe Fiorentina, e drejtuar nga trajneri Xhankarlo “Picchio” De Sisti, ndërsa titulli në Firence mungonte që nga viti 1969.
Një ekip me afrime të rëndësishme si Eraldo Peçi, Çiço Graciani, Pietro Vierkvud, Antonelo Kukuredu dhe Daniele Masaro, të cilët iu bashkuan një skuadre të fortë, me kapiten Xhankarlo Antonjonin. Në 29 ndeshje, vetëm Juventusi, kampion në fuqi, e mbajti hapin e Fiorentinës, duke fituar 17 ndeshje, për të mbërritur në javën e fundit më 16 maj 1982 me pikë të barabarta. Të dyja skuadrat luanin e luanin titullin në transfertë, Fiorentina përballë Kaljarit që rrezikonte rënien nga kategoria, ndërsa Juventusi kundër Katanzaros, ekip që e kishte siguruar mbijetesën.
Violët kaluan në avantazh në Kaljari pas gjysmë ore lojë, por goli i Gracianit u anulua mes protestave të miqve për një shtyrje në zonë. Nga ana tjetër, Juventusi kaloi në epërsi 15 minuta nga fundi falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Liam Bredi, të cilit vetëm pak ditë para ndeshjes i ishte komunikuar largimi, për t’u bërë vend dy lojtarëve të huaj, Zbinji Bonjekut dhe Mishel Platinisë, futbollistë që do të shkruanin më vonë historinë e Juventusit dhe të futbollit europian. Kështu, në Kaljari takimi u mbyll pa gola, ndërsa Juventusi u bë skuadra e parë italiane që preku kuotën e 20 titujve, duke vendosur edhe yllin e dytë në fanellë.
(20 maj 1973) KËRKIMI I FAVORIT NË PUSHIM TË NDESHJES DHE BONUSI QË PARAPRIU
Në vitin 1972, Milani ishte ende duke përjetuar valën e periudhës së parë më të suksesshme në historinë e tij, e cila filloi mes viteve 1961 dhe 1963 me fitoret e “Scudetto”-s së tetë dhe Kupës së parë të Kampionëve. Ai sezon nisi mirë dhe vazhdoi edhe më mirë, ashtu si edhe për Juventusin, por çuditërisht edhe për Lacion, e cila si një skuadër e sapongjitur kishte avantazhin e mospjesëmarrjes në Kupat e Europës. Në mesin e kampionatit, Lacio renditej e treta me pikë të barabarta me Interin, i cili pësoi rënie në gjysmën e dytë të sezonit. Me tri ndeshje të mbetura, Milani kryesonte me 41 pikë, i ndjekur nga Lacio me 40 dhe Juventusi me 39. Pavarësisht fitoreve, Milani kishte treguar shenja lodhjeje, kryesisht të shkaktuara nga udhëtimet sfilitëse për të luajtur në Kupën e Kupave.
Juventusi, nga ana tjetër, kishte gjithashtu angazhimin në Kupën e Kampionëve, ku arriti në finalen e atij sezoni. Megjithatë, ndryshe nga milanezët, bardhezinjtë vazhduan të fitonin në kampionat, duke përfituar edhe nga një kalendar më pak i ngjeshur.
Më 29 prill, në ndeshjet e treta nga fundi, Milani barazoi kundër Torinos, Juventusi fitoi në Bergamo dhe Lacio barazoi kundër Bolonjës. Të tria ekipet fituan në takimet e parafundit, dhe kështu ata shkuan në javën e fundit me Milanin në krye e vetëm 1 pikë më shumë se dy ndjekëset, por me një angazhim shtesë, finalen e Kupës së Kupave, të cilën e kishin luajtur dhe fituar në Selanik katër ditë më parë pas një përballjeje të vështirë kundër Lids Junajtid.
Nga ana tjetër, Juventusi kishte avantazhin që ta luante finalen e tij më 30 maj, me kampionat të përfunduar. Kështu, më 20 maj, kundër Veronës që ishte afër zonës së rënies nga kategoria, Milani rrëshqiti, duke e mbyllur pjesën e parë 3-1 në disavantazh. Juventusi gjithashtu e pa veten në disavantazh kundër Romës me një gol në pjesën e parë, por më pas e rikuperoi rezultatin dhe fitoi me golat e Altafinit dhe Kukuredus.
Milani, nga ana tjetër, nuk arriti të rikuperonte dhe përfundoi duke humbur 5-3, ndërsa Lacio u mposht në minutën e fundit kundër një Napoli agresiv, pavarësisht se luante pa objektiva. Vite më vonë disa nga lojtarët Napolit kishin pohuar se në pjesën e parë të ndeshjes, një grup drejtuesish dhe lojtarësh të Lacios kishin shkuar te kapiteni i napolitan për të kërkuar lënien e ndeshjes, ndërsa nuk u konfirmua kurrë as supozimi për “bonusin fitues” të dhënë nga Juventusi për atë takim, një praktikë e zakonshme asokohe për skuadrat deri në vitet 1980.
(7 qershor 1964) TRIUMFI I FUNDIT PËR BOLONJËN
Nuk ishte ekzaktësisht dita e fundit e kampionatit 1963-‘64, sepse në atë kohë (ashtu sikurse edhe aktualisht), nëse dy ekipe e përfundonin kampionatin në krye me të njëjtin numër pikësh, ato luanin për “Scudetto”-n në një ndeshje shtesë. Dhe atë vit, Interi i Helenio Herrerës, kampion në fuqi i Italisë, i cili kishte fituar tashmë të parën nga dy Kupat e Kampionëve radhazi, e përfundoi kampionatin me pikë të barabarta me Bolonjën e Fulvio Bernardinit, një specialist në udhëheqjen e ekipeve që nuk ishin të mësuara të fitonin tituj, siç kishte bërë me Fiorentinën në 1956-ën.
Bolonja e atij viti, pak e vlerësuar edhe për shkak se e kishte filluar dobët kampionatin, u bë e njohur gjatë sezonit si “Parajsa e Bolonjës”, falë cilësisë së lojës dhe performancave të lojtarëve që kanë mbetur në historinë e ekipit dhe të të gjithë futbollit italian, si Xhakomo Bulgareli, Ecio Paskuti, Helmut Haller dhe Harald Nielsen. Megjithatë, në gjysmën e kampionatit, skuadra u përfshi në një skandal, kur pesë lojtarë rezultuan pozitivë për doping, me gjurmë amfetaminash në urinën e tyre. Në mars, ekipi u penalizua me 3 pikë dhe Bernardini u pezullua për një vit e gjysmë. Por Bolonja, e bindur se kishte pasur ndonjë gabim, nëse jo manipulim, paraqiti një apel, i cili u pranua një muaj më vonë, pasi ekzaminuesit nuk gjetën gjurmë amfetaminash në të njëjtat mostra që kishin rezultuar pozitive një muaj më parë. Kështu që kishim të bënim me një manipulim, por përgjegjësit nuk u gjetën kurrë. Bolonja kishte dyshime për disa nga drejtorët e Milanit, ekipi që në pjesën e parë të sezonit kishte konkurruar për vendin e parë me ta, përpara mbërritjes së Interit.
Kampionati vazhdoi më pas dhe përfundoi me Bolonjën dhe Interin me pikë të barabarta në vendin e parë. Pas javës së fundit, presidentët e dy ekipeve, manjati i naftës Anxhelo Morati dhe sipërmarrësi i tekstilit, Renato Dal’Ara, u takuan në selinë e “Lega Calcio”-s në Milano për të diskutuar modalitetet ndeshjes shtesë. Por, gjatë takimit, Dal’Ara pësoi një atak në zemër, ai vdiq në vend në moshën 72 vjeç, në duart e presidentit të Interit që u mundua t’i jepte ndihmën e parë. Organizimi i ndeshjes “play off” vazhdoi me ftesë të gruas së Dal’Arës, e cila i inkurajoi lojtarët e Bolonjës të fitonin në kujtim të ish-presidentit të tyre, dhe kështu ndodhi.
Më 7 qershor, në stadiumin olimpik në Romë, e vetmja finale për “Scudetto”-n në historinë e kampionatit italian u vendos 15 minuta nga fundi me një autogol të Xhaçinto Faketit dhe një gol të danezit Harald Nielsen. Ky ishte i fundit nga shtatë titujt kampionë të fituar nga Bolonja, e cila arriti të mposhtë një nga ekipet më të suksesshme në kampionatin italian.