Vllaznia ka kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi ka mundur me penallti Elbasanin, në mbyllje të një ndeshje që dhuroi 6 gola në 120 minutat e saj.
Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, koha e rregullt sot dhuroi 6 rrjeta të tundura, edhe pse rastet ishin me pikatore, ndërsa duhet theksuar se dy gola për shkodranët në fakt ishin autogola nga miqtë. Ndërsa barazimi 3-3, u shënua në minutën e 96 të ndeshjes, kur mendohej se gjithçka kishte përfunduar.
Në shtesa, ekipet ruajtën rrjetën të paprekur dhe si rrjedhojë u deshën gjuajtjet e penalltive për të përcaktuar fituesin. Abalora priti dy gjuajtje nga pika e bardhë, por gabimet nga ana tjetër e Lilës, Kasës dhe Olberkis, bënë që në fund të ishte Vllaznia që festonte kualifikimin mes 4 skuadrave më të mira në Kupë.
Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka festuar kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë me penallti, duke pranuar se erdhi pas një ndeshje emocionuese, por me ulje-ngritje.
“Të jem i sinqertë e prisja, ndjesia si trajner ishte që do të ishte një ndeshje e ngushtë deri në fund, pasi e dimë se Elbasani është një skuadër shumë e fortë. Janë në kampionat pak mbrapa, por e dinim që donin të luanin në gjysmëfinale dhe donin të shkonin në Europë, kanë investuar shumë para, kanë objektiva, kanë objektiva të mëdhenj këtë vit. Dhe kryesorja që në këto dy ndeshje ishte që të mundte Vllazninë dhe si i përballuam jam krenar për ekipin, tifozët, stafin, presidentin dhe Arditin. Tregojmë bashkim sepse ishte ulje-ngritje sot dhe kjo është arsyeja pse jemi të fortë që besojmë deri në fund dhe ia dolëm.
LEXO EDHE: Partizani në gjysmëfinale të Kupës, një gol në fund vendos ndaj Laçit, Abilaliaj “ringjall” të kuqtë
Mendja ime ishte këtu sot, për djemtë, për ndeshjen, ta mbylli nesër me këtë. Për momentin jemi të lumtur duke festuar se e meritojmë të kualifikohemi në turin tjetër. Padyshim do të përgatitemi për ndeshjen e fundjavës ndaj Laçit.
Duhet të jemi më të durueshëm sidomos në qarkullimin e topit, kemi mësuar nga ndeshja e fundit, sot ishte pak më mirë. Gjithmonë mund të përmirësohesh, më e rëndësishmja është që kemi zgjidhje. Lojtarët duhet t’i implementojnë në fushë, por ndoshta nuk janë në kohë, disa lëvizje taktike nga kundërshtarët, ndaj duhet që çdo kohë të gjejmë situata që të kemi variacione, me top të gjatë, nga krahët. Janë shumë gjëra që mund të bëjmë gjatë lojës.
Fillimisht falënderoj Çobën se është zhvilluar shumë këtë sezon, si shumë të tjerë dhe sot e ka merituar vendin në formacion, për të bërë më të mirën. Të gjithë e dimë që nuk është rritur si mbrojtës i majtë, por jemi fleksibël me të. Ka mundësinë të lëndojë mbrojtësit e djathtë me vrapimet. Ka edhe gabime, ky është futbolli, duhet ta kuptojmë si funksionon, do analizojmë edhe këto gabime.
Mund të shmangim golat që kemi pësuar, nuk është e këndshme, se kur po luan e shënon dhe mendon që je stabël, një herë ndodh gabimi në futboll. Ndaj duhet të jesh sa më i vëmendshëm, sa më i disiplinuar dhe do të punojmë për këtë”, tha Brdariç.
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, u shpreh i keqardhur, për eliminimin e dhimbshëm me 11-metërsha ndaj Vllaznisë:
Sot mungoi vetëm fati, asgjë tjetër. Bravo çunat, nuk mund të them asnjë gjë tjetër. Unë nuk kërkoj asnjë gjë më shumë nga skuadra. Të shënosh 3 gola brenda në Shkodër, të humbësh me penallti, është mungesë fati.
Nuk kam asnjë gjë për çunat, iu them bravo.
Nuk e meritonim eliminimin, meritonim gjysmëfinalen, por ky është futbolli. Unë dua të uroj Vllazninë për fitoren dhe suksese në gjysmëfinale.
Çunat sot treguan një mentalitet shumë të mirë. Ishim edhe të lodhur, para 3 ditësh kishte një ndeshje e fortë kundër Vllaznisë. Ne jemi të mërzitur, sepse ishim shumë afër kalimit të turit. Luajtëm futboll të bukur, të hapur. Në Shkodër atmosfera është fantastike. Duhej pak fat dhe përqendrim në goditjet standarte. Tani vetëm mund të shikojmë përpara. Kupa është mbrapa dhe ne jemi jashtë”, u shpreh Gvozdenoviç.