Aktualitet

Dumani: Bashkëpunim i ngushtë rajonal në luftën kundër krimit të organizuar!

Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani u shpreh sot se “lufta kundër krimit të organizuar është një betejë që nuk njeh kufij gjeografikë, por kërkon bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar”. Gjatë punimeve të forumit Konsultativ i Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Dumani u shpreh se “nuk na bashkon gjeografia, por lufta kundër krimit”.

Grupet dhe organizatat kriminale janë të ndërlidhura dhe për shpërbërjen e tyre kërkohet punë e koordinuar në nivel rajonal. “Duhen më shumë hetime të përbashkëta, besim, vizion dhe ndarje informacionesh, shtoi Dumani.

Duke u ndalur te bashkëpunimi me Eurojust, Dumani nënvizoi se ai përbën një nyje strategjike, që ka mundësuar trajtimin e rasteve të ndërlikuara përmes punës së përbashkët.

Më tej, vuri në dukje se SPAK-u po përballet me fluks të lartë çështjesh dhe se vetëm në periudhën janar-maj janë zhvilluar 10 mbledhje e janë krijuar 23 skuadra hetimore me vendet e Bashkimit Europian e të rajonit, si dhe një skuadër me Amerikën Latine.

Skuadrat e përbashkëta, hetimet financiare dhe rikuperimi i aseteve, si dhe ndarja e informacionit në kohë reale, janë elementë kyç në suksesin tonë, theksoi Altin Dumani.