Aktualitet

Gjyqi i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, GJKKO vendos datën për seancën e radhës

Gjatë gjyqit në GJKKO, Monika Kryemadhi ka deklaruar se dosja në ngarkim të saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta është e bazuar në thashetheme.

Kryemadhi u shpreh se do të ishte mirë që edhe qytetarët ta dëgjonin procesin gjyqësor dhe të rritej besimi i publikut ndaj çështjes së tyre.

“Nuk na hapet USB-ja me provat e këqyrjes së celularit. Është e vërtetë që e kam marrë, e kam USB-në, e kam shkarkuar dhe kopjuar. Problemi është se password-i del i gabuar. Kemi marrë edhe laptopin dhe USB-në që t’ua tregojmë. Eksperti izraelit, i cili është paguar 10 mijë USD për ta këqyrur, ose të na japë password-in.

Për 20 përgjimet ambientale nuk ka asgjë në dosje. Janë mbi 20 vendime përgjimi dhe nuk kemi as vendimet, as produktin e tyre. Janë të rëndësishme, sepse janë marrë pjesë të shkëputura dhe të nxjerra nga konteksti. Shumica e provave janë thashetheme dhe dosja nuk mund të bazohet në to, por në prova konkrete.

Për njerëz si puna jonë, opinioni publik është më i rëndësishëm se gjykimi juaj. Ne nuk jemi njerëz të zakonshëm, por figura publike. Për një person që u tërhoq zvarrë në Zvërnec u ngrit i gjithë opinioni publik, ndërsa Presidenti u rrëmbye nga pesë policë, nga të cilët dy janë arrestuar, dhe nuk ndodhi asgjë.

Duke qenë se ka kamera, do të ishte mirë që edhe qytetarët ta dëgjonin këtë proces dhe të rritej besimi i publikut. Unë nuk mund të pranoj që pseudogazetarë të marrin informacione nga SPAK-u dhe t’i përdorin ato për të na linçuar”, tha Kryemadhi.

Seanca radhës për Ilir Metën, datë 18 qeshor, ora 10:00.