Bota

Dy “blackout” brenda dy ditësh në Francë, pas Kanës goditet edhe Nisa

Një ndërprerje e dytë e energjisë elektrike brenda dy ditësh ka goditur rajonin e Rivierës Franceze pas një zjarri në një nënstacion në Nisë gjatë natës, të cilin autoritetet thanë se u shkaktua me dashje nga persona ende të paidentifikuar.

Të paktën 45 mijë shtëpi u prekën pasi flakët shpërthyen rreth orës 2 të mëngjesit, një ditë pas një ndërprerjeje masive të energjisë elektrike në Kanë që është pranë zonës së goditur.

Policia e Nisës tha se gjeti “gjurmë gomash” dhe se dera e nënstacionit, në perëndim të qytetit, ishte “e thyer”, sipas raportimeve të mediave lokale.

LEXO EDHE:  Ndërprerja e energjisë elektrike në Kanë të Francës, prokurori: Është sabotim!

Aeroporti i Nisës, rrjeti i tramvajit dhe dy qytete fqinje u prekën para se energjia elektrike të rikthehej më vonë gjatë mëngjesit.

Kryebashkiaku i Nisës, Christian Estrosi, shkroi në X se denoncon aktet keqdashëse që po ndikojnë në vendin tonë, ndërsa zëvendëskryetari i bashkisë së qytetit tha se zjarri në nënstacion ka shumë të ngjarë të ketë origjinë kriminale.

Zjarri në Nisë erdhi një ditë pasi një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike goditi Kanën gjatë festivalit ndërkombëtar të filmit. Tre nga katër shtyllat e linjës së tensionit të lartë që furnizon qytetin e Kanës u “sharruan” në një “akt sabotimi”, tha prokurori i Grasse për AFP-në.

Disa shfaqje u ndërprenë nga mungesa e energjisë elektrike në mëngjes përpara se organizatorët e festivalit të ishin në gjendje të kalonin në gjeneratorë privatë.