Auto & Moto

E ardhmja elektrike, Norvegjia drejt rrugës për të qenë e para…

Norvegjia është lider botëror kur bëhet fjalë për përdorimin e makinave elektrike, të cilat vitin e kaluar përbënin nëntë nga 10 automjete të reja të shitura në vend. A mund të mësojnë kombet e tjera prej saj? Për më shumë se 75 vjet, shitësi i makinave me bazë në Oslo, Harald A Moller, ka importuar Volkswagen, por në fillim të vitit 2024 i dha lamtumirën makinave me karburante. “Ne mendojmë se është e gabuar të këshillosh një klient që vjen këtu sot për të blerë një makinë ICE, sepse e ardhmja është elektrike”-tha shefi ekzekutiv Ulf Tore Hekneby.

Bëhet e ditur se në rrugët e kryeqytetit të Norvegjisë, Oslo, makinat me bateri nuk janë një risi, ato janë normë. Kombi nordik prej 5.5 milionë banorësh ka adoptuar EV-të më shpejt se çdo vend tjetër dhe është në prag për t’u bërë i pari që do të heqë gradualisht shitjen e makinave të reja me lëndë djegëse. Vitin e kaluar, numri i makinave elektrike në rrugët e Norvegjisë tejkaloi numrin e makinave me benzinë për herë të parë. Ndërsa kur përfshihen automjetet me naftë, makinat elektrike përbëjnë pothuajse një të tretën e të gjithave në rrugët norvegjeze. Dhe 88.9% e makinave të reja të shitura në vend vitin e kaluar ishin EV, nga 82.4% në 2023.

Në disa muaj shitjet e makinave plotësisht elektrike shkuan deri në 98%, pasi blerjet e atyre me benzinë ose naftë pothuajse dështuan. Në të kundërt, në Mbretërinë e Bashkuar makinat elektrike përbënin vetëm 20% të regjistrimeve të makinave të reja në 2024. Në SHBA, shifra ishte vetëm 8%. Pra, Norvegjia është padyshim një pioniere e EV, por ky revolucion elektrik nuk ka filluar tani. “Ky filloi tashmë në vitet 1990”-tha Christina Bu, sekretarja e përgjithshme e Shoqatës Norvegjeze të EV. Mbështetja për automjetet elektrike u prezantua fillimisht për të ndihmuar dy prodhuesit norvegjezë të EV-ve të hershme. Edhe pse është një prodhues i madh i naftës dhe gazit, Norvegjia synon që të gjitha makinat e reja të shitura të kenë “zero emetim”, duke filluar nga 2025. Ndërkaq, Bashkimi Evropian planifikon të ndalojë shitjet e makinave të reja me lëndë djegëse fosile deri në vitin 2035 dhe qeveria aktuale e Mbretërisë së Bashkuar dëshiron të ndalojë shitjen e tyre në vitin 2030.