Policia shqiptare arrestoi në Tiranë një 19-vjeçare, shtetase gjermane e dënuar nga Gjykata e Hanoverit në Gjermani me 10 vite burg për krime në fushën e narkotikëve. Tashmë pritet ekstradimi i saj në shtetin gjerman.
Sipas burimeve zyrtare, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe falë shkëmbimit të informacioneve ndërmjet shërbimeve të DFPO-së dhe homologëve gjermanë, në kuadër të fazës së 85-të të operacionit të koduar “Operacionalja”, shërbimet operacionale të DFPO-së lokalizuan dhe kapën në Tiranë shtetasen gjermane, Maryam Assaf, 19 vjeçe.
Kjo shtetase kërkohej ndërkombëtarisht, pasi në muajin qershor 2025, Gjykata e Hanoverit e ka dënuar me 10 vjet burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Arrestimi provizor i saj u bë me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.