Aktualitet

E dënuar me 13 vite burg në Itali, arrestohet në Durrës/Pranga një gruaje!

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Arachne”, duke arrestuar një shtetase të dënuar nga drejtësia italiane me mbi 13 vite burgim. Në pranga ra shtetasja e identifikuar si Edisnarda Shapka, 46 vjeçe, e njohur edhe me emrin Edisnajda Shapka, banuese në Durrës.

Ajo ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi është dënuar nga Gjykata e Apelit të Bolonjas, Itali, me 13 vjet e 6 muaj burg, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet operacionale të Drejorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe në bazë të informacioneve të siguruara.

Ndaj 46-vjeçares, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, në funksion të njohjes dhe ekzekutimit të vendimit të drejtësisë italiane.

Operacioni “Arachne” është pjesë e një sërë aksionesh të pandërprera të Policisë së Shtetit për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për vendosjen përpara drejtësisë të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.