Aksident në punë në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Një person u përplas për vdekje nga një fadromë, një natë më parë. Viktimë mbeti Nusret Xhoka 60 vjeç nga Dibra. Policia shoqëroi drejtuesin e fadromës, një 63 vjeçar nga Prishtina, i cili humbi kontrollin e mjetit e përplasi një trajler.
Xhoka ishte shofer i mjetit të tonazhit të rëndë dhe sapo kishte zbritur prej tij. Që të dy punonin për kompaninë që kryen punimet në Aeroportin e Vlorës. Hetimet vazhdojnë lidhur me zbardhjen e rrethanave. Në Aeroportin e Vlorës punohet me tre turne, që punimet të përfundojnë brenda afatit.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin Rrahman Sllamniku, 63 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, pasi dyshohet se më datë 17.01.2025, rreth orës 21:20, në kantierin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler. Si pasojë, drejtuesi i trajlerit, shtetasi N. Xh., 60 vjeç, banues në Dibër, ka humbur jetën.