Politikë

Ina Zhupa i përgjigjet Ballës: Berisha e planifikoi aeroportin e Vlorës në zonën e Levanit, jo në Nartë! Rama e zhvendosi në zonë të mbrojtur…

Deputetja demokrate Ina Zhupa i është përgjigjur kreut të grupit të PS, Taulant Balla i cili në komisionin për Turizmin u shfaq me një dokument në dorë dhe pretendonte se lejet për aeroportin e Vlorës dhe zhvillimin e Zvërnecit janë dhënë nga Sali Berisha. Por, deputetja Zhupa e kundërshton këtë pretendim duke thënë se është një gënjeshtër e Taulant Ballës. Sipas saj, qeveria Berisha nuk ka miratuar plan për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonëm e mbrojtur Akërni/Nartë por në zonën e Levanit.

Ajo thotë se qeveria Rama e zhvendosi projektin brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë, duke e futur atë në konflikt me Konventën e Bernës dhe me shqetësimet e shprehura nga Parlamenti Europian për mbrojtjen e biodiversitetit dhe respektimin e standardeve mjedisore europiane.

“Taulant Balla gënjeu përsëri për aeroportin e Vlorës. Qeveria Berisha nuk ka miratuar planin e aeroportit të Vlorës në zonë të mbrojtur në Akërni/Nartë por në zonën e Levanit. Ja thashë në sy, por ai e preu videon në 26 sekonda për facebookun e tij, që të dëgjohej vetëm gënjeshtra e tij dhe ta shpërndante si “lajmin e vitit” që Berisha ja u paska lënë aeroportin e Vlorës aty dhe s’kemi arsye pse e kundërshtojmë ne…

E vërteta është shumë e thjeshtë: qeveria Berisha e kishte parashikuar aeroportin e Vlorës me Vendimin e KKRT nr. 1, datë 26.02.2009, “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Ajror”, por jo në Akërni/Nartë ku po ndërtohet sot. Vendndodhja e parashikuar ishte zona e Levanit, në afërsi të aksit Fier–Vlorë. Pra, qeveria Berisha e kishte planifikuar aeroportin jashtë zonës së mbrojtur, ndërsa qeveria Rama e zhvendosi projektin në Akërni/Nartë, brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë.

Konventa e Bernës ka kërkuar në mënyrë të përsëritur pezullimin e projektit të aeroportit të Vlorës, për shkak të rrezikut serioz ndaj biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura të lagunës së Nartës. Po ashtu, Parlamenti Europian, në rezolutat e tij për Shqipërinë, ka shprehur shqetësim të thellë për ndërtimin e aeroportit në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë dhe ka kërkuar respektimin e legjislacionit mjedisor dhe standardeve europiane.

Taulant Balla nuk mund të fshehë të vërtetën duke kërkuar fajin te Saliu! Faktet janë publike: Berisha e parashikoi aeroportin në Levan, Rama e zhvendosi në Nartë, duke hyrë në konflikt me Konventën e Bernës dhe me vetë Parlamentin Europian. Rama nuk fshihet dot më! Ju erdhi fundi”, shkruan Ina Zhupa.