Sport

Egnatia bën lojën, golin e shënon Partizani! Të kuqtë fitojnë takimin e parë të Kupës

“Kura” Gega vazhdon të japë efekt te Partizani. Pas fitores në kampionat, të kuqtë kanë gjetur një fitore shumë të rëndësishme edhe në Kupën e Shqipërisë, teksa kanë mundur në transfertë me shifrat 1-0 Egnatian.

Në fakt ishte ekipi vendas që dominoi ndeshjen, sa i përket mbajtjes së topit dhe rasteve të krijuara, ndërsa Partizani dukej shpesh i kënaqur edhe me një barazim për mënyrën se si po shkonte loja. Por një kundërsulm në minutat e fundit solli penalltinë e fituar dhe transformuar nga Keko, që i mjaftoi për një sukses minimal 1-0 që i jep një avantazh të vogël për kalimin në finale.

Skënder Gega ka pak ditë që ka nisur punën te Partizani, por ka ndryshuar menjëherë disa gjëra në radhët e ekipit. Kjo shihet nga formacioni që hedh në fushë me disa ndryshime në krahasim me ndeshjet e periudhës nën drejtimin e Abilaliajt, por edhe me vendime të tjera të rëndësishme që rezultuan të goditura siç tregojnë dy fitore radhazi.

LEXO EDHE: Statistikat e derbit/ Tirana-Partizani, ndeshja e 178-të dhe dominimi i kuq

Kjo u pa qartë në momentin e penalltisë së fituar ndaj Egnatias. Topin e mori Zeka i cili ishte gati të gjuante, por trajneri kërkoi që të gjuante Alban Hoxha e më pas insistoi që t’i dorëzohej topi Kekos, pasi do të ishte ky i fundit që do të gjuante penalltinë. Sulmuesi gjuajti dhe nuk gaboi, duke i dhënë suksesin të tijve.

Një ndryshim i plotë hierarkie në ekip, kur kujton se vetëm pak ditë më parë, Abilaliaj deklaroi se gjuajtësi i parë ishte Taipi, i dyti Mehmeti dhe më pas ishte Domgjoni. Mehmeti dhe Domgjoni ishin në fushë por asnjë prej tyre nuk u afrua për të goditur, me Gegën i cili bëri zgjedhjen mes dy sulmuesve.

Sulmuesi  i Partizanit, Albers Keko, u zgjodh lojtari i ndeshjes, në triumfin 0-1 që të kuqtë regjistuan në transfertë ndaj Egnatias. Ishte goli i tij me penallti në minutën e 85-të, ai që vendosi sfidën. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, Keko deklaroi:

“Unë futem në çdo ndeshje për të bërë më të mirën, e ka shkruar Zoti këtë vit, që të jem lojtar i Kupës. Ndihem më mirë te pozicioni im. Shpresoj të marr besimin e trajnerit, ma ka dhënë, shpresoj të vazhdoj të bëj mirë.

Te momenti i penalltisë, mendova thjesht ta çoja topin në rrjetë, asgjë tjetër”, u shpreh sulmuesi i Partizanit.