Bota Health & Beauty

Eksperti i njohur i shëndëtesisë: “Për të jetuar më gjatë, duhet të hamë më pak…”

Profesori Silvio Garattini, 97 vjeç dhe themelues i Institutit të Kërkimeve Farmakologjike Mario Negri, këshillon të hamë më pak, të zgjedhim me kujdes ushqimet që vendosim në tryezë, duke preferuar fruta dhe perime, dhe të shmangim disa ushqime si mishi i kuq dhe gjalpi, që mund të zëvendësohet me vaj ulliri. Lëvizja e rregullt është gjithashtu thelbësore. Në një intervistë për programin e Raiuno “La volta buona”, Garattini theksoi se tema e jetëgjatësisë trajtohet pak, sidomos në shkolla.

“Mungon pothuajse krejtësisht edukimi për shëndetin. Mjaftonte një orë në javë në çdo klasë me mësues kompetentë dhe kjo do të ndryshonte shumë, duke rritur kulturën e parandalimit,” tha ai. Duke folur për festat dhe ushqimin tipik, ai shtoi se një copë panettone një herë nuk bën dëm, por çelësi për jetë të gjatë është mënyra e përgjithshme e të ushqyerit dhe të jetuarit.

Gjatë muajve të dimrit, kur ftohjet dhe gripi shtohen ndjeshëm, forcimi i imunitetit bëhet një domosdoshmëri. Ekspertët theksojnë se sistemi imunitar është mburoja natyrale e trupit kundër viruseve dhe baktereve, ndaj kujdesi për të duhet të jetë prioritet. Pas periudhës festive, specialistët rekomandojnë një rikthim te ushqimi i shëndetshëm, me fokus te frutat dhe perimet e freskëta dhe të papërpunuara. Këto ushqime janë të pasura me fibra, të cilat ndihmojnë shëndetin e zorrëve dhe luajnë një rol kyç në forcimin e imunitetit, duke përmirësuar aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet. 

Një tjetër aleat i rëndësishëm janë produktet e qumështit me pak yndyrë, të pasura me baktere të mira dhe fibra probiotike. Konsumimi i rregullt i tyre ndihmon në balancimin e mikrobiomës dhe rrit rezistencën e organizmit gjatë sezonit të ftohtë.Ekspertët kujtojnë se ushqimi i shëndetshëm duhet të shoqërohet edhe me aktivitet fizik, gjumë të mjaftueshëm dhe një stil jete aktiv. Kujdesi për imunitetin në dimër nuk është thjesht një masë e përkohshme, por një investim i rëndësishëm për shëndetin afatgjatë.