Kryetari i Njësisë Administrative të Fushë-Krujës, Ilir Loci, në makinën e të cilit u vendos një sasi eksplozivi mbrëmjen e djeshme, deklaroi se nuk ka konflikte me njeri. Objektiv ishte automjeti i Locit, por i dëmtuar mbeti edhe një tjetër mjet aty pranë e që i përket një personi që po darkonte në restorantin ku ndodhi ngjarja. Makina tjetër ishte rreth 10 metra larg Range Rover-it të Locit. Paraprakisht dyshohet se sulmi të jetë një paralajmërim në lidhje me detyrën e pushtetarit vendor.
Eksplozivi u hodh nga një rrugicë krah restorantit. Ndërkohë, policia po vazhdon punën për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe identifikuar e kapur autorin. Më parë, Ilir Loci ka qenë nënkryetar i Bashkisë Krujë.
Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar dy automjete të parkuara, në pronësi të shtetasve E.K. e I.L, siç njoftoi policia. Grupi hetimor në vendngjarje po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit.
U raportua se shpërthimi ishte mjaft i fortë dhe u dëgjua në të gjithë zonën përreth. Sasia e eksplozivit qe vendosur në gomën e parë të makinës, nga ana e pasagjerit.