Enco Mareska pranoi se Çelsit i mungoi Nikolas Xhekson në sulm pas eliminimit të tyre në raundin e katërt të Kupës FA nga Brajtoni, por trajneri shtoi se klubi nuk do të pendohet që e la Zhoao Feliksin të largohej drejt Milanit në merkaton e dimrit.
Bluve u mungoi kërcënimi në sulm në humbjen e tyre mbrëmjen e së shtunës. Skuadra e Mareskës bëri vetëm një goditje në portë, e cila erdhi në minutën e katërt të ndeshjes, ndërsa Xhekson e humbi ndeshjen për shkak të dëmtimit. Autogolit të Verbrugenit në minutën e 5-të, iu përgjigj Ruter në minutën e 12-të, ndërsa Mitoma shënoi edhe golin e dytë për “Pulëbardhat” në 57’.
LEXO EDHE: Arsene Wenger i penduar, tregon dy futbollistët që s’i afroi dot te Arsenali
Zëvendësuesi i Xheksonit, Kristofer Nkunku, bëri vetëm 33 prekje të topit, lojtari i dytë me më pak kontakt me të nga të gjithë titullarët e Çelsit dhe nuk arriti të regjistronte asnjë gjuajtje në portë gjatë gjithë ndeshjes. Ndërkohë që Feliks, i cili u huazua te Milani në ditën e fundit të merkatos, shënoi pas 12 minutash në debutimin e tij në klubin italian javën e kaluar.
Mark Guiu, sulmuesi tjetër i Çelsit, ka pësuar një dëmtim afatgjatë. “Po, ndonjëherë mendoj se duhet të luash ndeshje pa lojtarët në fjalë për të kuptuar se sa të rëndësishëm janë ata”, tha tekniku italian për Xheksonin.
LEXO EDHE: ‘Derbi’ vazhdon, Partizani–Policia, shigjetojnë njëra-tjetrën!
“Ne kemi thënë shumë herë për Nikon sesa i rëndësishëm është ai në lojën me top dhe pa top. Kur nuk jemi në zotërim të topit, intensiteti dhe presioni është gjithmonë shumë i mirë prej tij. Ndërsa në zotërim, ai është gjithmonë një kërcënim. Unë nuk mendoj se na ka munguar Zhoao. Ai është i lumtur atje (në Milano) dhe ne jemi të lumtur që Zhoao është i lumtur atje.
E vetmja gjë që mund të themi, është se askush nuk parashikon që në ditën e fundit të merkatos të kishim dy dëmtime sulmuesish. Por ne kemi Nikon, i cili mund të kthehet shumë shpejt. Nuk do të kalojë shumë kohë përpara se të jetë sërish me ne, por do të shohim nëse ai është i disponueshëm për ndeshjen e ardhshme”.