Aktualitet Politikë

Erion Veliaj mbërrin në Kushtetuese pasi la paraburgimin e Durrësit!

Rreth orës 09:30, Erion Veliaj mbërriti në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca nis në orën 10:00, me relatore Sonila Bejtjan.

Më herët, Kushtetuesja njoftoi praninë e Veliajt në seancë, pasi kishte shprehur vullnetin e tij. Për këtë arsye, gjykata kërkoi nga Drejtoria e Burgjeve marrjen e masave për ta shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit, ku ndodhet prej muajit shkurt. Po ashtu u njoftua SPAK-u.

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn me 50 vota pro, pas propozimit të Këshillit Bashkiak duke u mbështetur në nenin 62, pika c, të ligjit për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë.

Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por edhe këtë e ankimoi në Kushtetuese. Dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.

Veliaj arsyeton se neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve dhe vetëm pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Ai thotë se mungesa e tij në detyrë ka ardhur për “pamundësi objektive” pasi ndodhet në paraburgim.

Nga ana tjetër, qeveria argumenton se Veliaj nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi për shkarkim nuk është marrë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës, por në bazë të ligjit të vetëqeverisjes vendore, duke bërë Gjykatën Administrative si kompetente për shqyrtimin e çështjes.

Në seancë, Veliaj pritet të mbështetet edhe në një raport të Komisionit të Venecias, ku thuhet se “shkarkimi i një të zgjedhuri vendor është masë e jashtëzakonshme që duhet përdorur vetëm në raste të rënda, pasi cënon autonominë vendore dhe të drejtat themelore”. Raporti thekson edhe se paraburgimi i zgjatur i të zgjedhurve mund të cënojë të drejta të garantuara nga Konventa Europiane, si liria e shprehjes dhe pjesëmarrja efektive në jetën politike.

Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Me bashkëshorten, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Erion Veliajn rëndojnë 5 akuza në total: korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Për të mbërritur në Kushtetuese, Veliaj u nis nga paraburgimi i Durrësit.