Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut vijon të mbetet i bllokuar prej vitesh në Gjykatën Kushtetuese, duke mos arritur ende në shqyrtim përfundimtar, për shkak të mungesës së një anëtari të plotë të trupës gjyqësore.
Shkak për vonesën më të fundit është moszgjedhja nga Kuvendi e gjyqtares Meri Dika Georgievska, e propozuar nga Këshilli Gjyqësor. Pa plotësimin e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të mbahet seanca përgatitore ku pritej të diskutoheshin edhe ekspertiza vendase dhe ndërkombëtare mbi ligjin.
Sipas mediave vendase, tentativa për zgjedhjen e saj në Kuvend ka dështuar disa herë, përfshirë seancat e fundit parlamentare, duke lënë të pandryshuar ngërçin institucional mes legjislativit dhe Kushtetueses.
Ndërkohë, situata mund të komplikohet më tej, pasi brenda gjashtë muajve dy gjyqtarëve aktualë, përfshirë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, u përfundon mandati, çka mund të thellojë më tej bllokimin.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar në vitin 2018, mbetet një nga çështjet më të debatueshme politike në vend. Ai ka hasur kundërshtime të shumta nga parti politike dhe iniciativa qytetare, ndërsa ka qenë objekt shqyrtimi edhe nga Komisioni i Venecias.
Sipas Komisionit të Venecias, disa dispozita të ligjit tejkalojnë standardet ndërkombëtare për përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe kërkojnë rishikim ose kufizim, veçanërisht në pjesët që lidhen me përdorimin e gjuhës në procedurat gjyqësore dhe komunikimet institucionale.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka shtyrë disa herë shqyrtimin e ligjit, ndërsa çështja mbetet ende e hapur dhe me ndikim të madh politik në vend.