Një kafe çdo mëngjes, një porosi e vogël online, një taxi në vend të autobusit, të gjitha duken shpenzime të pafajshme. Por ekonomistët e financave personale paralajmërojnë se pikërisht këto zakone të vogla të përditshme po zbehin mundësitë për kursime serioze.
Koncepti i njohur si “latte factor” shpjegon se shpenzimet e vogla të përsëritura në kohë bëhen shuma të mëdha. Një kafe 2 euro në ditë janë mbi 60 euro në muaj dhe më shumë se 700 euro në vit.
Kur kësaj i shtohen porositë impulsive online dhe ushqimet “me porosi” në vend të gatimit në shtëpi, shifra rritet edhe më shumë.
Studime mbi sjelljen financiare tregojnë se shumica e njerëzve e nënvlerësojnë efektin kumulativ të këtyre shpenzimeve, sepse shohin vetëm shumën e vogël të sotme, jo totalin vjetor.
Ekspertët sugjerojnë të vendoset një buxhet fiks mujor për “kënaqësitë e vogla” dhe të automatizohen kursimet (p.sh., një shumë e vogël që shkon direkt në llogari kursimi çdo muaj).
Në këtë mënyrë, mund të shijosh ende kafen e preferuar, pa sakrifikuar ëndrrat financiare afatgjata.