Lifestyle

Menaxhimi i financave personale, tre gabimet që po varfërojnë qytetarët në kohë krize!

Në një periudhë me inflacion të lartë dhe çmime të paqëndrueshme, menaxhimi i financave personale është bërë më i rëndësishëm se kurrë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shumica e qytetarëve vazhdojnë të bëjnë të njëjtat tre gabime kryesore, të cilat i ekspozojnë ndaj rrezikut financiar.

Sipas vlerësimeve, afro 70% e individëve nuk kanë të kursyer as fondin e një muaji jetese. Kjo nënkupton se, në rast se u prishet një pajisje shtëpiake, humbasin punën apo përballen me një urgjencë shëndetësore, ata nuk kanë asnjë mburojë financiare.

Në shumicën e rasteve, zgjidhja e parë bëhen kreditë e shpejta, duke i çuar drejt gabimit të radhës.

Kreditë e shpejta, të cilat reklamohen si zgjidhje e thjeshtë dhe e menjëhershme, shpesh kanë norma reale interesi tepër të larta.

Ekspertët theksojnë se shumë qytetarë marrin një shumë të vogël, nuk arrijnë ta shlyejnë në kohë dhe më pas futen në një zinxhir borxhesh, ku një kredi mbulon tjetrën.

Gabimi i tretë lidhet me nënvlerësimin e të ashtuquajturave “shpenzime të vogla”. Kafja e përditshme, blerjet spontane, porositë online dhe shpenzime të tjera të ngjashme duken të parrezikshme në moment, por në fund të muajit mund të përkthehen në 50–100 euro të “padukshme”, të cilat dobësojnë drejtpërdrejt buxhetin familjar.

Ekspertët theksojnë se zgjidhjet ekzistojnë dhe janë relativisht të thjeshta: krijimi i një fondi emergjence, edhe nëse fillohet me shuma shumë të vogla mujore; shmangia e kredive të shpejta, përveç rasteve vërtet ekstreme; si dhe monitorimi i shpenzimeve të përditshme, në mënyrë që “paratë e padukshme” të kthehen në kursime të qëndrueshme.