Rajoni

Fati i Abdixhikut më 30 korrik/ LDK mbledh Kuvendin e jashtëzakonshëm për të vendosur nëse do shkarkohet kryetari

Lumir Abdixhiku ka thirrur për 30 korrik Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku pritet të përcaktohet fati i tij si drejtues i partisë.

Votëbesimi ndaj Abdixhikut u iniciua nga 148 delegatë, pas pakënaqësive me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Kryetari i LDK-së, në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Lidhja Demokratike e Kosovës doli e treta nga zgjedhjet e fundit parlamentare e siguroi 18 deputetë në parlament.

Ndërkohë, 354 delegatë do të vendosin të enjten nga ora 18:00 nëse Abdixhiku do të mbetet apo jo kryetar i LDK-së. Sipas statutit të partisë, nëse kryetari aktual shkarkohet, brenda 60 ditësh duhet të thirret një mbledhje tjetër e kuvendit për të zgjedhur kryetarin e ri.

Epilogu i kuvendit të LDK-së që mbahet një javë para seancës konstituive të parlamentit të Kosovës, do përcaktojë edhe zhvillimet në drejtim të formimit të institucioneve.

Kjo pasi, në kohën e nisjes së iniciativës për shkarkimin e tij, Abdixhiku po zhvillonte takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, e të cilat i pezulloi pas deponimit të nënshkrimeve.

Pas raundit të parë të bisedimeve dy liderët ishin pajtuar për të mbajtur diskutime të tjera në drejtim të formimit të institucioneve.

E këtë të hënë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca u shpreh se partia e tij sheh një gatishmëri të LDK-së së udhëhequr nga Abdixhiku për të arritur një marrëveshje që do e zgjidhte çështjen e presidentit.