Rajoni

Takimi Kurti-Abdixhiku, ende pa marrëveshje/Dialogu vazhdon!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, lidhur me konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit.

Deri tani nuk ka një konkluzion përfundimtar.

Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, ku diskutuam shumë çështje të zhvillimeve politike, të dinamikave institucionale dhe njëkohësisht orarin që na pret përpara konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet.

Kemi diskutuar për të gjitha këto, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që mund ta ndajmë me ju. Jam optimist për rrugën përpara dhe besoj se racionaliteti do të vazhdojë të mbizotërojë edhe në takimet e ardhshme.

Kurti u ndal edhe te zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të jetë figurë konsensuale, që përfaqëson unitetin e qytetarëve.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se palët janë dakordësuar të vijojnë komunikimin për të shmangur zgjedhje të reja.

Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme. Në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë komunikimin, si forma e vetme për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend.