Ashtu si çdo vit, stafi i Top Albania Radio-s dërgon virtualisht urimet e tyre për Vitin e Ri 2025, nga shtëpia jonë e madhe dhe me shumë shpresë për vitin që vjen. Urimet më të përzemërta nga familja jonë për tuajën…


Ledion Liço
Hey miq, unë jam Ledion Liço! Më merr gjithmonë malli për mikrofonin e radios se flas gjithmonë e më rrallë këtu, por jam shumë shumë i lumtur që na dëgjoni çdo ditë dhe na keni pjesë të jetës suaj! Jo vetëm na dëgjoni në kohë reale, por na lexoni, na ndiqni nëpër podcaste dhe jam shumë i lumtur që Top Albania vazhdon të jetojë ditët e saj më të bukura. Dua ta mbyll kësaj radhe me një shprehje të vërtetë të Mark Aurelit, i cili ka thënë: “Shpirti yt ka ngjyrën e mendimeve të tua!” Kështu që, në 2025 mundohuni të mendoni vetëm gjëra të bukura! Faleminderit shumë që na dëgjoni! Gëzuar të gjithëve 2025! Festa të ëmbla!
Armelda Methasani
Hey, dëgjues të Top Albania Radio! Në këto ditë të magjishme kur koha duket se ecën më shpejt dhe reflektimet mbushin cepat e shpirtit, është periudha më e bukur për të kujtuar se ndërsa Viti i Ri afron, lind edhe mundësia për të shkruar një kapitull të ri. Fundviti është pikërisht porta që na ofron të kalojmë nga një botë e mbushur me të gjitha ndjenjat e kaluara, në një tjetër plot shpresë e plot ngjyra. Le të jetë ky vit kapitulli i librit tuaj, i mbushur me dashuri, suksese dhe buzëqeshje! Le të ngremë një dolli për gjithçka që kemi arritur dhe për gjithçka që do të vijë! Nga unë, Armelda, gëzuar Krishtlindjen, gëzuar Vitin e Ri!
Blendi Salaj
Teksa ndezim dritat, Krishtlindja na kujton fuqinë e thjeshtësisë, të mirësisë dhe dashurisë! Uroj që Viti i Ri t’ju gjejë me zemra mirënjohëse dhe mendje të qeta! Duke përqafuar çdo sfidë, si mundësi për t’u rritur! Ju uroj paqe, sepse ne i përkasim njëri-tjetrit! Nga unë, Blendi Salaj, gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri!
Blerina Shehu
Hey, miq! Gëzuar! Mes dollish, ëmbëlsirash dhe listash me qëllime të mira që nuk janë mbajtur kurrë, ju uroj një Vit të Ri plot justifikime më të mira! Gëzuar festat, nga unë Blerina Shehu!
Cubi Metkaj
Gëzuar nga unë Vitin e Ri! Paçi sa më shumë lek, se edhe mua më sollën për Krishtlindje një 2 mijë leksh… E mbytën fare! Nga unë Cubi, gëzuar Vitin e Ri dhe një vit sa më të bukur e të bekuar për të gjithë ju!
Dj Danko
I dashur Babagjysh, ashtu si vitin që shkoi, dhe këtë vit dëshiroj që të më sjellësh para! Dëshirën po ta nis të shkruar në një letër zmerile, që të mos fshish më b***** me kërkesat e mia, si vjet. Nga unë Dj Danko, gëzuar festat!
Dj XXL
Dj XXL ju uron që Viti i Ri 2025, të jetë plot shëndet, dashuri dhe suksese! Le të jetë një vit i mbushur me momente të bukura, energji pozitive dhe ritme që ju bëjnë të buzëqeshni! Gëzuar dhe mbarësi për të gjithë!
Dori Dj
Stinët ndryshojnë, vitet vijnë dhe ikin… Por Top Albania rritet gjithnjë e më e fortë! Gëzuar festat nga Dori Dj!
Dorjana Lato
Gëzuar festat e fundvitit! Qoftë 2025 një vit plot bekim, shëndet dhe mundësi të reja! Gëzuar nga unë Dorjana Lato!
Elona Duro
Një tjetër vit erdhi në fund. Ta përcjellim me dashuri dhe të mirëpresim Vitin e Ri 2025! Le të nisim pa frikë sfidat dhe të mbajmë fort kujtimet më të bukura! Kam vetëm një dëshirë për ty, për veten, për të gjithë… Këtë Vit të Ri të kemi sa më shumë gëzime, shëndet e lumturi! E nëse këto i kemi pa limit, atëherë 2025 është viti ynë! Gëzuar Vitin e Ri 2025, nga unë Elona Duro!
Enxhi Nasufi
Përshëndetje të gjithëve, unë jam Enxhi Nasufi! Ju uroj një vit sa më të mbarë, paqe, dritë dhe reflektim! Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri nga Top Albania Radio!
Eriselda Doko
Sa herë më duhet të bëj ndonjë urim, më vjen gjithmonë në mendje shprehja: “Njeriu që arrin të dojë mjaftueshëm, mund të jetë personi më i fuqishëm në botë.” Miq të Top Albania Radios, ky urim i ndjerë shkon për ju… Dhuroni sa më shumë dashuri në çdo ditë të këtij viti dhe paçi gjithnjë dritë në zemrën tuaj, të ndriçoni dhe ata që janë rreth jush dhe kanë nevojë për ju! Gëzuar, nga unë Eriselda!
Erma Mici
Pardje ishim në vitin 2019, dje ishte korrik dhe sot jemi në përfundim të vitit. Teksa koha fluturon, është e rëndësishme që t’i marrim më të mirën çdo çasti të udhëtimit tonë. Fundja, gjërat e vogla janë ato që e bëjnë jetën më të bukur. Ju uroj një tjetër udhëtim të jashtëzakonshëm përreth diellit! Faleminderit që i mbani zërat tanë pranë vetes! Gëzuar festat dhe Vitin e Ri! Me dashuri, Erma Mici!
Ervin Nikolla
Këto janë ditët më të bukura të vitit. Ju uroj Krishtlindje të bardha dhe një 2025 spektakolare! Dëgjofshi sa më shumë radio dhe shënofshi sa më shumë gola! Ky është urimi im, unë jam Ervin Nikolla! Gëzuar!
Ilvi Begolli
Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri! Uroj që këto festa të sjellin gëzim, dashuri dhe harmoni pranë njerëzve tuaj të zemrës! Le të jetë një vit i ri plot shëndet, suksese dhe mundësi të reja! Nga unë Ilvi, bekime pafund në 2025!
Jerida Sakaj
Një vit nis nga një çast, është koha për ëndrrën tuaj. Jini të pasur në ngrohtësi, të varfër në urrejtje, të magjishëm në fat, të kristaltë për mirësi dhe viti nuk do të jetë kurrë i plakur, mbajeni ju përjetësisht të ri! Duaje sot çfarë nuk deshe dje, dëshiro nesër ditë më shumë rrëmbeji! Jetoni një sekond për ta mbushur një jetë! Qëndroni një gjithësi, për të jetuar vetëm një sekond. Gëzuar festat, nga unë Jerida Sakaj!
Jonida Aliçkolli
Hey dëgjues të Top Albania Radios, unë jam Jonida Aliçkolli! Ju uroj shëndet, shëndet dhe shëndet për 2025! Por dhe ca lek nuk do ishte keq! Ju dua shumë!
Koloreto Cukali
Dhe meqë jemi në këtë periudhën ku gjithçka rrotull nesh na fton të festojmë me zhurmë dhe gjëra të mëdha, unë do ju uroj që për Vit të Ri të vlerësoni gjërat e vogla… Ca miq të mirë, një gotë të vogël të mirë, një darkë të vogël të këndshme, një ushqim të mirë, pak muzikë të mirë! Pra, gjëra të vogla por që japin kuptim më të bukur festave! Dhe gëzuar nga unë Koloreto Cukali! Kjo është Top Albania Radio!
Kozeta Kurti
Gëzuar festat e fundvitit! Uroj të keni marrë gjithçka nga ky vit që po lëmë pas dhe paçi gjithçka që dëshironi vitin e ardhshëm! Shëndeti i pari dhe mbi të gjitha uroj të keni veten me veten dhe të mos e humbisni në asnjë çast, në asnjë rast, për asnjë arsye! Gëzuar!
Ksenja Shoshaj
Gëzuar Krishtlindjen! Qoftë kjo një kohë bekimesh të pafundme dhe momente të paharrueshme! Gëzuar, nga unë Ksenja!
Lei Kraja
Gëzuar festat nga unë Lei Kraja! Ju uroj dashni, dashni dhe vetëm dashni!
Mateo Kadriu
Pshëndetje dëgjues të Top Albania Radios! Gëzuar festat e fundvitit nga unë Mateo Kadriu dhe mos harroni të dëgjoni Top Tech për të gjitha të rejat teknologjike! gëzuar dhe shpresoj ta nisni vitin e ri me një Tesla të re!
Paso (Edi Manushi, Glent Nallbani, Redi Jupi, Lorenc Jemini, Gëzim Sinemati)
Në festat e dhjetorit dëgjoni “Paso”! Gëzuar Vitin e Ri! “Paso” ju uron gëzuar Vitin e Ri!
Salsano Rrapi
Një fillim të ri në janar, dashuri në shkurt, paqe në mars, asnjë shqetësim në prill, qejf në maj, gëzim nga qershori në nëntor dhe lumturi në dhjetor! Nga unë Salsano Rrapi, paçi një vit plot fat dhe të mrekullueshëm!
Visjan Ukcenaj
Hey, përshëndetje të gjithëve! Visjan Ukcenaj ju shqetëson në këtë ditë të bukur dhjetori për t’ju uruar të gjithëve Krishtlindjen dhe Vitin e Ri! T’ia kaloni sa më bukur me familjet tuaja dhe qoftë një vit i mbarë! Ju përqafoj!
Dj Wizii
Uroj që ky vit i ri të hapë dyert drejt horizonteve të reja duke sjellë me vete shpresë, lumturi dhe dritë në çdo hap tëndin! Gëzuar Vitin e Ri nga Wizii Dj!

