Film & Tv Music

What’s Next (If a Radio can do all this…)

Top Albania Radio & TV & Multimedia. Media e parë e ndërtuar nga mendja e krijuesit të Top Media’s – Dritan Hoxha, plotëson 360* duke mbuluar të gjithë hapësirën mediatike në prag të 30 vjetorit.

E ndërsa 14 Shkurti i 2026 sjell 28 vjetorin e Top (Albania) Radio, 5 vitet e fundit kanë ri-dimensionuar edhe një herë praninë e saj në tregun mediatik shqip-folës. Një brand i fuqishëm, dhe busull orientuese me ikoniken 100.0 mhz në FM, radio e makinave, është tashmë po aq e njohur si përmbatje televizive, dhe një kanal i mirëfilltë (nr.10 në DigitAlb), një kanal në YouTube me 115.000 të nënshkruar, një aplikacion me përmbajtje shqip të mbi 30 podcastesh ditore, javore dhe mujore në çdo kohë, një nga Websitet më të vizituara për informimin dhe argëtimin, si edhe ka ndër faqet sociale më popullore ndër shqiptarët nëpër botë duke vazhduar të jetë një nga shtyllat kryesore në perandorinë mediatike të drejtuar nga Lori Hoxha.

Sinergjia me Top Channel, afrimi me të rinjtë si trashëgimi, në drejtim në programesh, projektesh dhe jo vetëm, si edhe qasja eksperimentale që ka qenë gjithmonë dalluese për TAR, fjala e fundit e teknologjisë, bashkëpunimet e vazhdueshme me eventet e bujshme artistike – kanë qënë kryefjalët në kapitullin e parë të drejtimit të Ledion Liços.

Top Radio premton të jetë e njëjta dhe befasuese duke mos harruar rrënjët dhe duke provuar gjithmonë hapësira të reja në të ardhmen.

“Është privilegj të timonosh një media që më shtoi dashurinë për të bërë punën që bëj që kur isha akoma në klasë të tetë. 5 vite më parë kur isha u shkëputa nga puna para kameras, dhe morra këtë detyrë, misioni i çdo dite ka qënë ta ktheja Top Radion në shkëlqimin e dikurshëm në një kohë kur të gjithë mbase me të drejtë thoshin se radios i kishte ikur koha. Me një grup kolegësh më të vjetër se unë, dhe gjakut të ri, arritëm që përmes teknologjisë – përdorimit të mediave të ‘reja’ të kohës dhe mëndësisë së re – në një hapësirë të re ta kthenim në një media që konkuron të gjitha llojet e mediave në hapësirën shqipfolëse duke ruajtur fuqinë e brand-it por duke e pasuruar me më tepër formë & brendi.”

Mbas projektit për ri-vitalizimin e Piramidës së rrënuar Top Albania Radio bëri lëvizjen e saj të tretë që nga koha e krijimit duke u vendosur tek Arena Center, në Sheshin Italia. Hapësirat e reja sollën një qasje me Radio Vizive me prodhime Podcastesh dhe programesh muzikore që ishin të pamundura prej vitesh.

Top Albania Radio u themelua më 14 Shkurt 1998, në një moment kur tregu mediatik shqiptar ishte ende në formim. Që në nisje, radioja solli një frymë të re, moderne dhe dinamike, duke u pozicionuar ndryshe nga radiot tradicionale të kohës.

Me fokus te muzika bashkëkohore, programet argëtuese dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me dëgjuesit, TAR u kthye shpejt në një radio të preferuar, veçanërisht nga të rinjtë. Stili i saj i freskët dhe energjik e bëri një fenomen kulturor.

Brenda një kohe shumë të shkurtër, radioja mori licencën kombëtare, duke arritur një shtrirje prej rreth 95% të territorit të Shqipërisë – një arritje e jashtëzakonshme për një media private në atë periudhë.

Nën vizionin e themeluesit Dritan Hoxha, TAR i ndërtua mbi parimin e inovacionit, profesionalizmit dhe hapjes ndaj ideve të reja, duke krijuar një ekip të ri, kreativ dhe ambicioz.

Me kalimin e viteve, Top Albania Radio u konsolidua si një nga shtyllat kryesore të grupit Top Media, duke kontribuar në ndërtimin e një ekosistemi të fuqishëm mediatik në Shqipëri.

Sot, TAR mbetet një nga radiot më të dëgjuara dhe më influente në vend, me një trashëgimi që përfaqëson trasformimin e medias shqiptare nga tranzicioni në modernitet.