Sport

Fitore e vuajtur për Realin, Ançeloti: Deshëm tri pikë dhe i morëm

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka folur për mediat pas fitores 2-1 kundër Vajekanos që e kanë ngjitur skuadrën e bardhe në krye me pikë të barabarta me Barcelonën që ka një ndeshje më pak. Duke analizuar takimin, Ançeloti ka mbrojtur suksesin e skuadrës së tij, pavarësisht fërshëllimave nga “Bernabeu” në fund të ndeshjes.

“Pjesa e parë ishte shumë e mirë. Kur arrin në minutën e 70-të ose 75-të me 2-1 duhet të bësh mirë një gjë, të mbrohesh për të mos pasur probleme. Ka shumë skuadra që kanë luajtur në Champions League në mesjavë dhe kanë vuajtur në kampionat.

Interi ka vuajtur, Liverpuli po ashtu, Dortmundi, Leverkuseni, Bajerni janë mundur…”, tha Ançeloti. Italiani shtoi se objektivi i Realit ishte fitorja dhe tri pikët aq të rëndësishme për renditjen në këtë fazë të sezonit janë siguruar.

“Ndjesitë janë pozitive, sepse objektivi ishte të merrnim tri pikët dhe ia kemi dalë. Pjesa e parë mund të ishte mbyllur 3-0, por u mbyll 2-1 dhe me 2-1 gjithnjë është e vështirë”, theksoi ai.

LEXO EDHE: Real Madrid shkëlqen me Mbappe-Vinicius dhe merr vendin e dytë në renditje!

MBAPE – “Ka shënuar një gol spektakolar, ka luftuar për çdo top. Ai dhe Vinicius kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë deri në minutën e 70-të. Pastaj kur më duhet të mbroj rezultatin nuk e kam problem të zëvendësoj dhe sulmuesit siç e bëra”, deklaroi italiani.

VINICIUS – “Mund ta them me bindje se e pret një e ardhme e ndritur përpara. Ka shënuar shumë gola, ka arritur Ronaldo da Limën. Ai është një lojtar që lufton çdo sezon. Meriton çdo përgëzim për atë çfarë bën për skuadrën, përtej faktit që është dhe një djalë mjaft i mirë”.