Aktualitet

Fluks lëvizjesh në Qafë Thanë, po punohet për të shmangur radhët!

Aktualisht pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës po përballet me një fluks të lartë kalimesh nga drejtimi i Maqedonisë së Veriut për në Shqipëri e anasjelltas. Ky fluks ka shkaktuar pritje të gjata që arrijnë deri në 40 minuta për mjetet që kalojnë në këtë pikë kufitare. Autoritetet doganore kanë rritur kapacitetin duke vendosur katër sportele për të përshpejtuar kalimin e automjeteve.

Fluksi i lartë i automjeteve është i lidhur me periudhën e pushimeve por më së shumti me lëvizjen e shtuar të udhëtarëve që po shfrytëzojnë këtë pikë kalimi për të bërë pazaret e tyre për shkak të çmimeve të lira. Ndërkohë, autoritetet doganore janë duke monitoruar situatën për të reduktuar pritjet e gjata dhe për të menaxhuar fluksin e udhëtarëve.

Kjo e diel e fundit e vitit 2024 që po lëmë pas, ka regjistruar një fluks të konsiderueshëm lëvizjeje në doganën e Kakavijës. Në 24 orët e fundit, nga Greqia në Shqipëri kaluan më shumë se 6 mijë e 200 persona e mbi 2 mijë automjete, kryesisht emigrantë që kthehen për të festuar pranë familjeve.

Po ashtu, ka pasur një lëvizje të konsiderueshme edhe në drejtim të shtetit grek, me 3 mijë e 228 vetë dhe 1 mijë e 18 makina që kanë kaluar në anën tjetër të kufirit. Deri tani, në sportelet e kontrollit të dokumenteve në të dyja anët e kufirit nuk regjistrohen radhë të gjata pritjeje.

Nga Kakavija, ku shënohet fluks kalimesh për festa, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se konstatoi që këtë vit, pala greke ka marrë masa më të mira. Hoxha pati takime me përfaqësues të palës greke, si dhe përmendi bisedimet e zhvilluara ditë më parë me ambasadoren e Greqisë, duke i kërkuar më shumë vëmendje për lehtësimin e kalimeve për festa.

Sot bashkarisht me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorin e Departamentit të Policisë Kufitare vizituam pikën kufitare të Kakavijës. Në inspektim, pata mundësinë të takoja edhe drejtuesit e policisë greke me të cilët ndava disa shqetësime. Javën e kaluar pata një bisedë me ambasadoren greke mbi planin e masave për të përballuar fluksin e qytetarëve shqiptarë në pikën kufitare Kakavijë e në pikat e tjera. Masat janë marrë në përballimin e këtij fluksi.

Bashkë me drejtuesin e policisë greke vizituam edhe qendrën e koordinimit, e ngritur në zbatim të marrëveshjeve ndërqeveritare, funksionon si e tillë në bashkëpunim me forcat greke dhe shqiptare. Falënderoj përfaqësuesit e Frontex-it. Në bazë të marrëveshjes që kemi nënshkruar me Frontex-in për emigracionin e paligjshëm, kemi pasur suksese në nivele shumë të mira. Emigracioni i paligjshëm është ulur deri në 60%.