Një konflikt i armatosur mes dy fqinjëve në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër përfundoi me arrestimin e tyre, ndërsa u sekuestruan një kallashnikov, municion luftarak dhe katër kallëpe tritoli.
Në pranga u vunë N.L., 63 vjeç dhe A.F., 27, të dy banues në lagjen “Tre Heronjtë”.
Sipas hetimeve, dyshohet se dy fqinjët janë konfliktuar për motive të dobëta dhe gjatë përplasjes qëlluan me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Nga të shtënat u dëmtuan porta e oborrit të banesës së 63-vjeçarit dhe një automjet i parkuar.
Gjatë kontrollit në banesën e N.L., u gjetën e sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, e përdorur gjatë konfliktit. Ndërkohë, në banesën e A.F. u zbuluan municion luftarak dhe katër kallëpe tritol, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale.
Për ngjarjen policia shpalli në kërkim edhe 26-vjeçarin A.F., banues në Shkodër. Sipas hetimeve, dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk e kallëzoi ngjarjen.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, si edhe për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.