Bota

Franca mund të ashpërsojë qëndrimin ndaj Izraelit, nëse vazhdon bllokimi i ndihmave në Gaza!

“Franca mund të ashpërsojë qëndrimin ndaj Izraelit, nëse vazhdon të bllokojë ndihmat humanitare për Rripin e Gazës”. Kjo u tha sot nga presidenti Emmanuel Macron, i cili përsëriti se “Parisi është i përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete për ta zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez”.

Bllokada humanitare po krijon situatë të papërballueshme në terren, u shpreh Macron në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Singaporit, Lawrence Wong, në Singapor. Kështu, nëse nuk ka përgjigje të përshtatshme për situatën humanitare në orët dhe ditët në vijim, atëherë padyshim që do të duhet ta ashpërsojmë qëndrimin tonë të përbashkët.

Franca mund të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve ndaj kolonëve izraelitë. Por, unë ende shpresoj se qeveria izraelite do ta ndryshojë qëndrimin dhe përfundimisht do ta kemi një përgjigje humanitare.

Nga presioni i shtuar ndërkombëtar, javën e kaluar, Izraeli i dha pjesërisht fund një bllokade 11-javore të ndihmave për Gazën, duke lejuar sasi të kufizuar ndihmash të hyjnë përmes një sistemi të kritikuar bujshëm. Macron shtoi se Parisi është i përkushtuar të punojë për një zgjidhje politike dhe përsëriti mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Një shtet palestinez nuk është thjesht detyrim moral, por edhe domosdoshmëri politike, iu tha Macron gazetarëve në Singapor.

Sipas diplomatëve dhe ekspertëve, ai po anon drejt njohjes së një shteti palestinez, një hap që në fakt mund ta zemërojë Izraelin dhe t’i thellojë përçarjet në Perëndim.

Zyrtarët francezë po e shqyrtojnë këtë hap në prag të një konference të Kombeve të Bashkuara, që Franca dhe Arabia Saudite do ta bashkorganizojnë nga data 17 deri më 20 qershor, për të përcaktuar parametrat për rrugën drejt një shteti palestinez, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e Izraelit.

Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga grupi radikal palestinez Hamas sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1 mijë e 200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Shteti hebraik thotë se 58 pengje mbeten në Gaza, edhe pse besohet se rreth 35 prej tyre kanë ndërruar jetë.

Prej asaj kohe, lufta e Izraelit ka vrarë më shumë se 53 mijë persona në Gaza, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas të dhënave që japin zyrtarë shëndetësorë palestinezë.