Bota

Izraeli dhe Libani marrëveshje për zbatimin e armëpushimit!

Izraeli dhe Libani ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishte Departamenti i Shtetit që bëri njoftimin pas bisedimeve në Uashington.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-të, Izraeli dhe Libani njoftuan se do të rifillojnë negociatat më 22 qershor me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ndërkohë që parashikohet krijimi i zonave pilot nën kontrollin e forcave të armatosura libaneze, duke përjashtuar praninë e grupeve të armatosura jo shtetërore.

E ndërsa dakordësia fokusohet edhe në ndërprerjen e sulmeve të Hezbollahut, Uashingtoni është zotuar të mbështesë ushtrinë libaneze, ndërsa Izraeli, sipas mediave ndërkombëtare, ka përsëritur se siguria e tij kërkon çarmatimin dhe çmontimin e infrastrukturës së Hezbollahut.

Nga ana tjetër, Libani theksoi nevojën për respekt të ndërsjellë për kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe sovranitetin.

Dakordësia për armëpushim erdhi në fund të ditës së dytë të bisedimeve të ndërmarra nga Departamenti i Shtetit dhe tashmë pritet që më 22 qershor të nisë raundi i dytë i bisedimeve me qëllim arritjen e një rezolute.

Ndërkaq, përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme shënuan zhvillime të reja kur Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miratoi një rezolutë në mbështetje të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit, në kohën kur Uashingtoni vijon ndërmjetësimin mes Izraelit e Libanit.

Gjithashtu, Dhoma e Përfaqësuesve, me 215 vota pro dhe 208 kundër, miratoi edhe legjislacionin që synon detyrimin e shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, të përfundojë konfliktin me Iranin.