Meshkujt e pushtetshëm në Francë, “rrëzohen” njëri pas tjetrit falë lëvizjes #MeToo. Janari i 2021 ka thyer heshtjen e shumë viteve, duke nxjerrë në pah histori të abuzimeve seksuale nga meshkuj të pushtetshëm në Francë. Burra me status dhe fuqi në fusha të tilla si të politikës, sportit, medias dhe artit, janë përballë akuzave për abuzim seksual. Këto akuza nuk kanë sjellë vetëm penalizime ligjore, por ata tashmë kanë humbur postet e tyre, si dhe janë të shënjestruar nga opinioni publik.
Sandra Muller, është nismëtarja kryesore e lëvizjes #MeToo në Francë, që prej vitit 2017. Pavarësisht përpjekjeve të saj të shumta për drejtësi, disa femra me mjaft pushtet në vend, të kryesuara nga Catherine Deneuve, denoncuan nismën e saj. Në vitin 2019 ajo u shpall fajtore për shpifje nga një gjykatë në Paris. Megjithatë, këto sulme nuk e ndalën Sandra-n në rrugën e saj për të fituar e drejta.
Muajin e kaluar, Pierre Ménès, një nga gazetarët sportiv televiziv më të njohur, u akuzua nga punonjësit e tij përmes një dokumentari rreth seksizmit me titull “I’m Not a Slut, I’m a Journalist”. Disa nga figurat më të njohura e më të pushtetshme në Francë janë ende nën hetim. Përmendim Claude Lévêque, artistin e njohur ndërkombëtarisht, Richard Berry, një aktor mjaft i famshëm, producentin e filmave, Dominique Boutonnat e shumë të tjerë.
#MeToo është një lëvizje feministe, që nisi hapat në vitin 2006 nga një aktiviste amerikane, Tarna Burke. Gjatë gjithë këtyre viteve ka patur ndikim në disa shtete, duke përmendur Amerikën, Rusinë, Kinën, etj. Rikujtojmë se në tetor të 2018, u zhvillua nisma #HimToo, për të bërë publike edhe rastet e meshkujve, viktima të abuzimeve seksuale.