Nata e të shtunës ktheu përsëri makthin e dëmtimeve për Keidi Baren. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka humbur gjysmën e sezonit të kaluar për shkak të problemeve fizike me Saragozën dhe shkelmi që mori që në minutën e 30 të ndeshjes miqësore ndaj Tarazona, bëri të mendohej se situata mund të përsëritej.
Bare doli nga fusha mes dhimbjeve në gju dhe kërkoi i dëshpëruar ndihmën e mjekëve. Por sinjalet e para, për fat të mirë, janë pozitive.
Mediat pranë klubit të Saragozës bëjnë të ditur se pas kontrolleve ë para, është vënë re që nuk ka ndonjë dëmtim shqetësues që mund të krijojë probleme afatgjata për Baren. Për më tepër, mësohet se nuk do të kryhen as rezonanca, pasi është konstatuar se nuk është e nevojshme një gjë e tillë.
Me pak fjalë, shumë frikë për momentin, por më pas edhe shumë lehtësim, pasi mesfushori mund të kthehet në dispozicion të trajnerit Gabi që në javën e ardhshme.
Klubi i La Liga 2 ka insistuar prej javësh për të afruar Baren, duke e vlerësuar si një lojtar që mund të bëjë shumë mirë në rolin e titullarit të mesfushës së ekipit që ka synime të rikthehet në elitë.
Palët ishin që në fillim parimisht dakord për një marrëveshje trevjeçare me të drejtën e zgjatjes edhe një tjetër muaj.