Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka kërcënuar se nuk do të miratojë raundin tjetër të sanksioneve kundër Rusisë nëse Brukseli nuk ndihmon në rivendosjen e furnizimit së gazit rus përmes Ukrainës.
“Ukraina nuk është e gatshme të lërë gazin rus përmes territorit të saj në mënyrë që të mund të arrijë në Evropën Qendrore, dhe kjo shkakton rritjen e çmimit të gazit. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Orban.
Tranziti i gazit rus në Evropën Qendrore nëpërmjet Ukrainës u ndërpre më 1 janar.
Eksportet e gazit ndaluan kur skadoi një marrëveshje tranziti dhe Kievi refuzoi të negocionte një të re, pasi mbron “operacionin special ushtarak” të Rusisë, i cili ka nisur që nga 24 shkurt 2022.
Hungarisë i janë mohuar edhe zyrtarisht fondet e Bashkimit Evropian në vlerë të 1 miliard eurove për shkak të dyshimeve për korrupsion. Ky vendim, që është konfirmuar përmes një deklarate të BE-së, të lëshuar më 31 dhjetor, shënon herën e parë që blloku evropian ka vepruar kështu ndaj një vendi anëtar. Budapesti nuk e ka komentuar vendimin.
Kjo shumë parash ka qenë pjesë e pakos së fondeve prej 19.7 miliardë eurove që janë ngrirë prej vitit 2022, kur Brukseli pati nisur procedura të “kushtëzimit” kundër Hungarisë. Këto procedura i kanë bllokuar fondet për shkak të dyshimeve se Qeveria hungareze i ka shkelur rregullat për prokurim publik, si dhe parimet për kontrollin dhe transparencën.