Aktualitet

Fushata e 14 Majit, Rama në Belsh: Të bëhet pasqyrë e bujqësisë së re!

Takimet e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 Majit, kryesocialisti Rama u ndal në Belsh ku kujtoi se dikur ky vend ishte “pellg i rrethuar nga plehrat”, ndërsa sot është një atraksion turistik. Rama vuri në dukje se brenda një viti janë regjistruar 150 mijë vizitorë e turistë në Belsh. Po ashtu, premtoi se me fitoren e kandidatit socialist më 14 Maj do të rriten investimet e turistët.

Ky liqen ishte si një pellg i rrethuar nga plehra, ferra. Bëmë aktivitetin e parë në aksin kryesor, medemek bulevardi që ishte gjithë gropa. Që atëherë e kam parë të ardhmen e Belshit, te ky liqen. Vetëm sa kemi filluar ta vëmë në punë. Nëse sot jemi në një situatë ku brenda një viti, vijnë 150 mijë vizitorë e turistë, atëherë kush jetonte këtu e kishte mendjen të ikte.

Sipas shefit të qeverisë, “Belshi duhet të bëhet pasqyrë rrezatuese e një bujqësie të re”, “të bëhet shembulli i ndërmarrjes së re bujqësore, që njerëzit të bashkojnë forcat dhe dijen për të prodhuar me cilësi e për ta shitur produktin në bashki”.

Këtu ne po ecim me energjinë e rinovueshme, me sistemin e grumbullimit. Siç kam dashur që Belshi të bëhej një shembull dhe sot është një nga shembujt e rilindjes urbane, ne do të bëjmë çmos që të bëhet shembull i ndërmarrjes së re bujqësore ku njerëzit bashkojnë forcat, dijen, për të prodhuar me cilësi e për ta shitur së bashku. Se duke pasur sasi të madhe, je ti që vendos çmimin.

Kjo është një ambicie që do e realizojmë sepse Belshi duhet të bëhet pasqyrë rrezatuese e një bujqësie të re. Prodho dhe dil në tregjet ndërkombëtare si një komunitet dhe pastaj secili sipas sasisë së prodhimit, merr të ardhurat e veta.

Më tej, Rama u ndal te gjenerata e re e sistemit të ujitjes.

Kemi bërë punë të jashtëzakonshme për pastrimin e kanaleve, por duhet të kalojmë nga kanalet ujitës, te uji që vjen me tubacion dhe çdo fermer e racionon e ujëmbledhësi strategjik përdoret në mënyrë racionale.

Në takimin me qytetarë, kyeministri Rama foli edhe për opozitën:

Në Elbasan ka dalë njëri, po unë nuk merrem me këta kundërshtarët e vendosura si kukulla kush hedh zarin. Ai është simbol, Luluç Boçi, figura e një komedie të madhe që më kujton “Zonjën nga qyteti”, më kujton Koçin që e morën për ta bërë dhëndër në fshatin e vogël dhe lemerisi gjithë dynjanë.

Ky është zotnia nga qyteti që e filloi fushatën duke firmosur një kontratë, e para dhe e fundit në historinë e zgjedhjeve në botë ku një kandidat firmos me statusin kryetari i ri i bashkisë. Nuk ka kryetar të ri, kryetar të vjetër, nuk ka, o je o s’je kryetar.

Ky firmosi si kryetar i ri për të sjellë 400 milion euro investime në Elbasan me një konsulent nga Bari që nuk figuron asgjëkundi. Pra, një skenë filmi i zotnisë nga qyteti. Mua më pëlqen si pamje se më heq mallin e Lulit, po ky është më lart, se ky nuk fle as gjumë. Ai të paktën flinte gjumë dhe gënjente më pak. Ky nuk fle gjumë, ky dhe kur mbyll sytë gënjen!