Në Kualifikueset për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, në Grupin B, Kosova përballet sonte me Spanjën në orën 20:45 dhe ndeshja do të transmetohet në kanalin Supersport 3 të Digitalb. Në konferencën për shtyp të një dite më parë, trajneri Bernard Challandes tha se do të dalin të motivuar në këtë takim për shkak të rëndësisë së kundërshtarit me të cilin përballen.
Por me Spanjën që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, edhe një përballje sportive mund të bëhet shkak për një mini përplasje. Gjithçka nisi me pyetjen e një gazetari të gazetës së njohur spanjolle “AS”, i cili i drejtohej trajnerit Challandes, por pa iu referuar si tekniku i Kosovës.
Ky moment nuk e la indiferent menaxherin e Përfaqësueses së Kosovës. Bajram Shala ngulmoi duke e pyetur se për trajnerin e cilit shtet e kishte pyetjen dhe pas një hezitimi të gjatë, më në fund përgjigja e gazetarit ishte:
Pyetja i drejtohet trajnerit të Kosovës.
https://www.instagram.com/p/CNEEfJNproj/?igshid=1tfc388zoblp7
Spanja nuk e ka njohur Kosovën duke e konsideruar deklaratën e saj të pavarësisë të njëanshme, në kundërshtim me sundimin e ligjit, si dhe me idenë e Spanjës për një Evropë të larmishme e tolerante. Madridi zyrtar ka njoftuar se Spanja do të ishte e gatshme t’i njohë pavarësinë Kosovës vetëm nëse arrihet marrëveshje me Serbinë. Por në BE, Spanja nuk është i vetmi vend që nuk e ka njohur Kosovën shtet. Qëndrim refuzues mbajnë edhe Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia.