Pas një njoftimi se në zonën e pompave në fushën e Maliqit ishin konstatuar disa armë zjarri, Policia e Maliqit shkoi në vendngjarje dhe ka bërë të mundur largimin e tyre. Sipas burimeve policore, armët janë pikasur rastësisht nga një kalimtar dhe në momentin e nxjerrjes nga ekspertët, ato ishin të mbuluara nga balta.
Armët menjëherë janë dërguar për ekspertizë për të parë nëse mund të gjenden shenja gishtash në to dhe nëse mund të jenë përdorur në ngjarje kriminale. Do jetë Policia Shkencore që pritet të japë një përgjigje përfundimtare në lidhje me armët automatike të gjetura.
Njoftimi zyrtar:
Maliq/Në fshatin Libonik, në vendin e quajtur “Pompat”, janë gjetur në një kanal, të mbështjella me qese plastike, 3 armë zjarri të ndryshkura, jofunksionale (të dyshuara një kallashnikov dhe dy pushkë). Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.