Aktualitet

Detaje nga operacioni në Maliq ku mbeti i vrarë efektivi Mekolli!

Detaje të reja nga operacioni policor në Lozhan të Maliqit, ku dje mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri. Nga hetimet, policia zbuloi armë në stanin ku qëndronte i fshehur i shumëkërkuari Violand Braçellari .

Sipas AMP-së në stan janë gjetur tri armë, një kallashnikov, me të cilën ai qëlloi mbi policinë, një pushkë model 56 dhe një çifte. Kontrollet nuk kanë gjetur municion shtesë, çka lë të kuptohet se Braçellari ka përdorur gjithë arsenalin e tij gjatë sulmit ndaj efektivëve.

Në vendin ku fshihej, policia gjeti gjithashtu një radio policie dhe gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët fikën radiot e tyre për të shmangur interferencën me pajisjen e Braçellarit.

Hetimet mbi zbatimin e procedurave dhe protokolleve nga Drejtoria e Policisë së Korçës nuk kanë konstatuar shkelje nga ana e forcave të përfshira.

Sa i takon moskërkesës për përforcime nga RENEA ose Forca Operacionale, grupi hetimor sqaron se Policia e Korçës vlerësoi në mënyrë korrekte rrezikshmërinë e Braçellarit, i cili ishte i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe jo për vepra të rënda penale që lidhen me jetën.

Hetimet tregojnë se veprimet e policisë për kapjen e Braçellarit ishin në përputhje me standardet dhe procedurat ligjore.