Bota

Gjermani, zëdhënësi i AFD: “Për emigrantët, ka dhoma gazi”

Partia gjermane e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë shkarkoi ish-zëdhënësin e saj Christian Lüth pas raporteve se ai ka bërë disa komente çnjerëzore lidhur me emigrantët. Varianti online i gazetës ‘Zeit’ pretendon se Lüth foli për “pushkatim” dhe “çuarjen e emigrantëve” në dhoma gazi Shkurtin e vitit të kaluar gjatë takimit me një influencuese të ‘Youtube’, Lisa Licentia në një bar të Berlinit.

“Komentet që i atribuohen Christian Lüth janë plotësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me qëllimet dhe politikat e AFD,” deklaroi drejtuesi i grupit parlamentar të saj, Alexander Gauland. Gauland i cilësoi si “absurde dhe krejtësisht fiktive” pretendimet se ai i kishte mbështetur komentet e Luth.

Në takimin me Licentia, ky i fundit thuhet të jetë shprehur se “Sa më keq të shkojnë gjërat për Gjermaninë, aq më mirë është për AFD-në”. I pyetur prej saj nëse ishte në interesin e kësaj partie që të vijnë më shumë emigrantë, ai ka thëne: “Po, sepse AFD-ja mund t’i bëjë gjërat më mirë. Ata mund t’i pushkatojmë më vonë. Ose t’i çojmë në dhoma gazi, njësoj është për mua”!