Bundesrati gjerman votoi njohjen e lejeve shqiptare të drejtimit. Lajmin e dha sot kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se ky është “konfirmim kuptimplotë i transformimit rrënjësor të sektorit, nga rrumpalla totale e 8 vjetëve më parë, në një sistem me standarde evropiane të certifikuara de facto nga misionet e inspektimit të qeverisë gjermane”.
Lajm i mirë. Më në fund, pas kalimit në parlamentin e çdo landi, Bundesrati gjerman votoi njohjen e lejeve shqiptare të drejtimit, një konfirmim kuptimplotë i transformimit rrënjësor të sektorit, nga rrumpalla totale e 8 vjetëve më parë, në një sistem me standarde evropiane të certifikuara de facto nga misionet e inspektimit të qeverisë gjermane.
Lejet për drejtim automjeti të lëshuara nga autoritetet shqiptare aktualisht njihen nga Belgjika, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Kosova e Italia.
Shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.
Shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015.
Shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013.
Shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015.
Shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015.
Shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.
Prej 12 korrikut në Itali njihen patentat shqiptare dhe e njëjta gjë do të ndodh edhe këtu me patentat italiane, vendim ky që i përfshin të gjitha lejet e drejtimit.