Përmes kryediplomates Annalena Baerbock dhe ministres së Brendshme, Nancy Faeser, Berlini zyrtar paralajmëron të gjithë mbështetësit e regjimit të rrëzuar të liderit sirian, Bashar al-Assad, që të mos përpiqen të fshihen në Gjermani. “Çdo torturuesi të regjimit të Assad-it që mendon të vijë në Gjermani, mund t’i them se do t’i mbajmë përgjegjës, me të gjithë forcën e ligjit, për krimet e tmerrshme”, u shpreh Baerbock për gazetën gjermane, Bold am Sonntag.
Agjencitë ndërkombëtare të sigurisë dhe shërbimet e Inteligjencës duhet të punojnë ngushtësisht.
Regjimi brutal i Assad-it u rrëzua nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pasi gati 14 vitesh luftë civile, si pasojë e së cilës u vranë mbi 500 mijë njerëz dhe u zhvendosën miliona tjerë. Assad-i dhe familja e tij po qëndrojnë në Rusi, pas azilit që iu miratua pa vonesa nga presidenti rus, Vladimir Putin. HTS-ja është një organizatë e shpallur “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Besohet se përgjatë regjimit të Assad-it, qindra mijëra njerëz janë arrestuar padrejtësisht, torturuar dhe vrarë.
Ndërkaq, ministrja e Brendshme gjermane, Faeser rikujtoi se “tani ekzistojnë kontrolle në të gjitha pikat kufitare të Gjermanisë”.
Jemi jashtëzakonisht të vëmendshëm. Nëse mbështetësit e regjimit të Assad-it tentojnë Gjermaninë, duhet ta dinë që pak vende do t’i ndjekin më me rreptësi krimet e tyre se Gjermania. Kjo gjë, le t’i ndalojë nga përpjekja!
Në Gjermani është shumë aktual debati nëse rreth 1 milion refugjatët e strehuar atje duhet apo jo të kthehen në Siri. Por, drejtuesit e sindikatave shprehen kundër kësaj ideje pasi lind problemi i humbjes së fuqisë punëtore, për të cilën vendi ka nevojë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, aktualisht në Gjermani jetojnë 975 mijë sirianë. Zyra Federale për Emigrantët dhe Refugjatët i ka pezulluar vendimet për azil për sirianët, për shkak të ndryshimit të situatës në Siri.
Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn ka sugjeruar ofrimin e 1.000 eurove për çdo sirian që dëshiron të kthehet në shtëpi. Disa zyrtarë tjerë gjermanë e kanë kritikuar qëndrimin e tij.