“Presidenti rus, Vladimir Putin dëshiron që Ukraina të dorëzohet”. I këtij mendimi është kryediplomati i Gjermanisë, Johann Wadephul, i cili i bëri komentet gjatë një vizite të beftë në Kiev. Kjo është e para vizitë e tij në kryeqytetin ukrainas, si ministër i Jashtëm, që kur ai mori këtë post muajin e kaluar.
Në mes të bisedimeve të bllokuara për t’i dhënë fund luftës trevjeçare, Putin nuk po tërhiqet nga asnjë nga kërkesat e tij maksimaliste. Ai nuk dëshiron negociata, ai dëshiron kapitullim. Liria dhe pavarësia e Ukrainës janë detyra më e rëndësishme e politikës tonë të jashtme dhe të sigurisë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Jashtme gjermane.
Rusia po synon dobësimin e mbështetjes sonë dhe dëshiron pushtim e nënshkrim me çdo kusht, madje edhe në kurriz të mijëra jetëve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Gjermania është mbështetësja më e madhe në Europë e Ukrainë dhe e dyta në botë pas Shteteve të Bashkuara, duke i ofruar armë e ndihmë, me qëllim që Kievi të zmbrapsë forcat ruse.
Dje, Rusia kreu sulmin më të madh ajror kundër Ukrainës, siç raportoi një zyrtar ukrainas, i cituar nga agjencia e lajmeve Associated Press. Për sulme njoftohet ndërsa përshkallëzohet fushata e bombardimeve ruse ndaj vendit fqinj, çka duket se i shuan edhe më shumë shpresat për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.
Rusia sulmoi me 477 dronë e 60 raketa, bëri të ditur forca ajrore ukrainase. 249 prej tyre u rrëzuan.
Yuriy Ihnat, shef i Komunikimeve në forcën ajrore ukrainase deklaroi se sulmet ishin “më masivet” në Ukrainë. Në to janë shënjestruar rajone të ndryshme, madje edhe në perëndim të Ukrainës, shumë larg vijës së frontit.
Forca ajrore polake tha se Polonia dhe vendet aleate kanë ngritur në ajër avionë për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të shtetit. Guvernatori rajonal i Hersonit, Oleksandr Prokudin njoftoi se një person gjeti vdekjen si pasojë e sulmit me dronë. Në rajonin e Lvivit, në perëndim të Ukrainës, një zjarr i madh shpërtheu në një qendër industriale në Drohobiç, si pasojë e një sulmi me dronë, duke çuar në ndërprerje të energjisë elektrike në gjithë qytetin.