Bota

Putin: Gati t’i dorëzojmë Ukrainës edhe 3 mijë trupa të vrarë, Trump është i guximshëm dhe e ka me sinqeritet paqen

Krerët e delegacioneve ruse dhe ukrainase në dy raundet e bisedimeve të mbajtura në Stamboll “vazhdojnë të mbajnë kontakt të drejtpërdrejtë telefonik me njëri-tjetrin dhe aktualisht po diskutojnë se kur do të mbahet raundi tjetër”, – tha presidenti rus Vladimir Putin.

Takimi i tretë do të diskutojë memorandumet e paraqitura nga secila palë për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Megjithatë, Putin pranoi se dokumentet janë “në skajet e kundërta të spektrit”. Putin tha se Rusia është e gatshme t’i dorëzojë Ukrainës trupat e 3,000 ushtarëve të tjerë të Kievit të vrarë në konflikt, përveç 6,000 atyre që janë dorëzuar tashmë.

Githashtu, presidenti rus Vladimir Putin tha se Donald Trump po “përpiqej sinqerisht të arrinte paqen në Ukrainë”. Putin, duke folur në një konferencë për shtyp në Minsk, shtoi se kishte “respekt të thellë” për presidentin amerikan, të cilin e quajti “një person shumë i guximshëm”.

Në anën tjetër, Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov tha se Kievi planifikon të propozojë mbajtjen e një takimi midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, sapo të përfundojnë negociatat mbi çështjet humanitare. Umerov e tha këtë në një takim me gazetarët, shkruan Kyiv Post.

Ukraina ka qenë gjithmonë konsistente në përpjekjet e saj për të arritur paqen. Ne e kemi mbështetur iniciativën e SHBA-së për një armëpushim të plotë që nga fillimi dhe kemi vërtetuar angazhimin tonë përmes raundeve të shumta negociatash. Por çdo dialog duhet të zhvillohet pa ultimatume dhe me respekt të plotë për sovranitetin tonë”, tha Umerov.

Bëhet e ditur se negociatat kanë qenë duke u zhvilluar që nga fillimi i vitit.

Përmendja e parë publike e iniciativës së armëpushimit erdhi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në janar.

Negociatat janë mbajtur që atëherë në disa faza dhe në disa vende.

Si hap tjetër, Ukraina planifikon të propozojë një samit të liderëve botërorë për dialog serioz. Detajet mbi formatin dhe afatin kohor të fazave të reja të negociatave pritet të shpallen së shpejti.